Tetovë, Shtëpia e Kulturës pa ngrohje qendrore

  • 9 years ago
Shtëpia e kulturës në Tetovë, në kuadër të së cilës funksionojnë edhe dy institucione tjera, vazhdon edhe më tej të përballet me mungesën e lëndës së parë për ngrohje. Si pasojë e kësaj pa ngrohje tani një kohë të gjatë janë Teatri i Tetovës dhe Biblioteka e Qytetit. Ministria e Kulturës, përkundër premtimit që bëri para tri javësh ende nuk ka furnizuar me naftë Shtëpinë e Kulturës. Drejtorja e këtij institucioni, Fitore Rushiti thotë mungesa e ngrohjes pengon edhe zhvillimin normal të aktiviteteve të institucioneve përkatëse.

"Që kur ka filluar dimri, ne nuk kemi pasur ndemje e që do kishim dashur ta kemi sepse tani kemi edhe nxehjen e re të shtëpisë së kulturës, shkaku i mungesës së naftës. Unë do kisha dashur të apeloj deri tek ministria e kulturës që të merr parasysh këtë sepse jemi disa organe që funksionojmë brenda pallatit dhe vërtetë nafta na i pengon shumë aktivitetet tona në këtë drejtim, sidomos kur prej javës tjetër do kemi temperature ende më të ulëta dhe është problem për të punuar brenda këtij institucioni", deklaroi Fitore Rushiti, Drejtore e Bibliotekës së Tetovës


"Të njëjtin qëndrim ka edhe drejtori i shtëpisë së kulturës në Tetovë i cili kësaj radhe nuk mundi të prononcohet shkaku se mandati i tij si drejtor i ka kaluar që prej ditësh, ndërsa Ministria e Kulturës edhe pse ka kaluar ky mandate dhe ka hapur konkursin, nuk ka nominuar ende as ushtrues detyre dhe as ka zgjedh drejtorin".

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës Elizabeta Kamçevska Milevska, shpreh të kundërtën. Ajo thotë se nafta është shpërndarë në kohë dhe nuk është e vërtetë se këto institucione nuk kanë naftë për ngrohje.

"Ne në vazhdimësi japim mjete dhe normalisht institucionet hapin tenderët për naftën, kështu që ne ndajmë mjete dhe ata në pajtim me ligjin e zbatojnë vendimin. Qendra për kulturë në Tetovë është hapësirë e madhe pa marrë parasysh se aty ndodhet edhe teatri ka hapësirë të madhe dhe këtu nuk ka pengesa për funksionimin e tyre. Drejtori është përgjegjës që të kujdeset për këtë gjë. Pra gjithçka që ka të bëj me programin si dhe ngrohjen, nga ana e Ministrisë së Kulturës është realizuar", tha Elizabeta Kamçevska Milevska, Ministre e kulturës.

Se cila është e vërteta mbetet ta shihet, por një gjë është e saktë, shtëpia e kulturës në Tetovë edhe më tej vazhdon të përballet me mungesën e ngrohjes.

Bashkim Sulejmani