Në orën 12:00 kreu i Partisë Socialiste ka qenë i përpiktë dhe ka filluar konferencën online në Twitter. "Jam këtu. Vit të mbarë të gjithëve. Fillojmë:-)", shkruan Rama në Twitter, duke çelur kështu një bashkëbisedim të gjatë që zgjati për rreth 3 orë dhe ndaloi vetëm pasi u arrit limiti i mesazheve ditore në Twitter.
"Dhe njëherë flm të gjithëve. Në afro 3 orë bëra sa munda:-) Pres sugjerimet tuaja si mund ta vëmë në jetë më tej këtë praktikë kaq tërheqëse", përfundon Rama në Twitter.
Një front i gjerë opozitar kundër Berishës që shkon nga e majta në të djathtë. Edi Rama këmbëngul në idenë e tij edhe gjatë intervistës kolektive me qytetarët që zhvilloi mesditën e sotme për rreth 3 orë në Twitter. Prioritet, shpjegon Rama, është largimi i regjimit të Berishës me votë. Pyetjet mbi koalicionet janë të shumta dhe Rama nuk tërhiqet mbrapsht.
I pyetur në lidhje me koalicionet që mund të bëjë PS në zgjedhjet e 23 qershorit të ardhshëm, Rama përgjigjet: "FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhti. Barazlargimi ndihmon regjimin! LSI duhet të zgjedhë: Patericë e regjimit apo krah opozitar! Duke zgjedhur opozitën do bënte edhe një akt vullneti të mirë për t'u ndarë nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet".
Bamir Topin e quan një qytetar të mirë të cilin e vlerëson për ato që nuk bëri për llogari të Saliut si ish-president, por shton Rama, është i mbërthyer nga kompleks virgjërie që krijon keqardhje. Edhe LSI sipas Ramës duhet të zgjedhë: patericë e regjimit apo krah opozitar. Por për darkën në Gjirin e Lalzit me Ilir Metën, kreu i socialistëve nuk është penduar.
Interesi i qytetarëve për t'i bërë pyetje kryesocialistit Rama duket se është shumë i madh, pasi ka një numër shumë të madh pyetjes që Rama u është përgjigjur.
I pyetur nga gazetari i A1Report, Indrit Maraku mbi risitë e listave të deputetëve, Rama tha se Partia Socialiste s'mund të kuptohet pa prurje të reja dhe as pa harmoninë mes gjeneratave, që sipas tij në PS është në një shkallë të lavdërueshme.
Pyetjes nëse do të ketë ndonjë drejtësi për përgjegjësit e "Gërdecit" dhe "21 janarit", Rama është zotuar se do ta kërkojë drejtësinë sa të ketë frymë.
"Drejtësia për 21 janarin është angazhimi im derisa të kem frymë", përgjigjet Rama në Twitter.
Comments