Analistët: 'Bojkoti i LSDM-së skenarë i Cërvenkovskit'

  • 9 years ago
Vendimi për bojkot të zgjedhjeve lokale paraqet kurorën e veprimeve të LSDM-së dhe nuk është asgjë më shumë se një ultimatum drejtuar VMRO DPMNE-së që të ulen në tryezë për të zgjidhur problemet. Kështu shprehen për Alsat, analistët Jove Kekenovski dhe Agim Jonuz. Kekenovski është i bindur se ky vendim nuk do të ketë sukses për shkak të reagimit të shpejtë të bashkësisë ndërkombëtare. Ai madje konsideron se më mirë do ishte sikur rolin e ndërmjetësit t'a luante presidenti e jo bashkësia ndërkombëtare.

"Të jem i sinqertë unë që në fillim thashë se nuk jam i sigurt se LSDM do të mbijetojë në këtë ide, dhe mendoj se ky është vetëm një ultimatum drejtuar VMRO DPMNE-së që të ulen në tryezë të përbashkët dhe t'i zgjidhin përfundimisht problemet, pra, të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare...Mendoj se ky është edhe një veprim i LSDM-së, që t'i tregoj bashkësisë ndërkombëtare se do të qëndroj në kërkesat e saj dhe në njëfarë mënyre, të jenë ndërkombëtarët që t'i ftojnë ata të ulen, nëse veçmë nuk kemi president, të ulen dhe ta detyrojnë Gruevskin në negociata të përbashkëta rreth ngjarjeve të mëtejshme politike në Maqedoni", deklaroi Jove Kekenovski, analist.

Edhe Agim Jonuz vlerëson se bojkoti është e drejtë legjitime por jo adekuate për momentin, prandaj duhet pasur parasysh edhe përgjegjësia për pasojat.

"Vlerësoj se nuk është adekuate të bojkotohen zgjedhjet dhe vlerësoj se kjo duhet të jetë luftë argumentesh, idesh, kualitetesh ndërsa kush çfarë kualiteti bart me vete dhe sa është i gatshëm për zgjedhje, ai është problem i tij e jo problem i partisë rivale me të cilën ballafaqohet", u shpreh Agim Jonuz, analist.

Kekenovski dhe Jonuz janë të ndarë rreth idesë, nëse pas vendimit për bojkot të zgjedhjeve fshihet frika e liderit të LSDM-së për humbje në zgjedhje.

"Mendoj se jo, me ngjarjet Cërvenkovski vetëm ka betonuar pozitën e tij, së paku në këtë moment, derisa nuk i dimë rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Situata e tij është e betonuar ndërsa nga ana tjetër pamë se menjëherë pas ngjarjeve në parlament, edhe komunat në mbarë Maqedoninë aty ku e kanë shumicën social demokratët, pamë se ata e mbështesin këtë aksion", u shpreh Jove Kekenovski, analist.

"Vlerësoj se vetëm Branko Cërvenkovski e di nëse frikohet apo jo. Por është fakt se u krijua ambient medial, politik dhe të tjerë... dhe duke pas parasysh ikonën e opozitës në pamjen dhe veprën e Branko Cërvenkovskit i cili e udhëheq atë, ekziston frika se një figurë politike nëse e braktis skenën, do e braktis atë si humbës, kështu që mendoj se ekziston një frikë e tillë", tha Agim Jonuz, analist.

Agim Jonuz nga ana tjetër shtron dilemën nëse ambientin për largimin e Branko Cërvenkovskit e krijoi vet ai, apo makineria propagandistike e VMRO DPMNE. Sipas tij, negative në këtë drejtim është fakti që partitë në Maqedoni identifikohen me personalitete. Gjyltene Rexhallari

Recommended