Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë është e pakënaqur nga përgjigja e MPB-së ndaj ankesës së tyre lidhur me dëbimin e gazetarëve nga salla e Kuvendit më 24 dhjetor. Kryetari i kësaj shoqate, Naser Selmani thotë se ka kërkuar që të konstatohet përgjegjësia e urdhërdhënësve dhe zbatuesve të vendimit që është në kundërshtim me Kushtetutën.
"Largimi më dhunë i gazetarëve nga galeria e Kuvendit pa asnjë bazë juridike, paraqet akt të censurës që është e ndaluar me nenin 16 të Kushtetutës së Maqedonisë. Rikujtoujmë se në pajtim me nenin 70 të Kushtetutës "seancat e Kuvendit janë të hapura. Kuvendi mund të sjellë vendim të punojë pa prezencë të opinionit me 2/3 e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve". Por, nuk pati nj vendim të tillë", tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
"Unë e kam komentuar tashmë këtë, sektori për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale doli me një përgjigje të stërzgjeruar dhe unë nuk kam të shtojë asgjë lidhur me atë përgjigje dhe nuk kam asgjë të shtojë nga komenti im i djeshëm lidhur me këtë çështje. Kuptohet se të gjithë ne duhet para së gjithash të respektojmë njëri tjetrin, dhe të mundësojmë të kryejmë pa pengesa obligimet që janë angazhim i yni thelbësor, përkatësisht, policia të kryejë patjetër detyrat e saj por përfaqësuesit e mediave gjithashtu e kanë patjetër të kryejnë punën e tyre, bëhet fjalë për dy funksione publike dhe shumë të rëndësishme në shoqëri. Pikërisht për këtë ne duhet të mundohemi që përveç mirëkuptimit të ndërsjellë të ndihmojmë njëri-tjetrin që të kryejmë obligimet e punës", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Ministrja e Brendshme Jankulloska ritheksoi sot se ankesa e SHGM-së është e pabazë, pikërisht në pjesën ku thuhet se pjesëtarët e sigurimit të kuvendit kanë përdorur tej mase dhunë ndaj gazetarëve. Nga ana tjetër, nga SHGM-ja thonë se presin që institucionet shtetërore të mbledhin fuqitë për të zbardhur sa më shpejtë rastin dhe në mënyrë profesionale. Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, SHGM-ja mbetet në vendimin për ndërprerjen e bisedimeve me Qeverinë.
Valmir Kuçi
Comments