Italianët e kanë nisur vitin e ri me zhytje në ujëra të ftohta

  • 9 years ago
Italianët mund të vuajnë nga pa-stabiliteti politik dhe kriza e borxheve, por kur bëhet fjalë për ide të pazakonta dhe mënyra festive, ata janë të parët. Për të nisur vitin 2013, një grup italianësh kanë ndjekur traditën, duke kërcyer nga ura drejt ujit të akullt të lumit Tiber. Zhytja tradicionale zhvillohet prej të paktën 25 vjetësh e madje, është një nga atraksionet e fillim-vitit për turistët e huaj. Truma e njerëzve pushtoi urën Kavur të Romës, dhe më pas u hodh në ujë nga lartësia e 17 metrave. Disa prej aventurierëve, tentuan të bënin edhe stile gjatë zhytjes.

"Ky është viti i 25-të i zhytjeve të tilla këtu në Romë. Kushtet janë të mira, uji është pak i ftohtë, por jam gati të hidhem me kokë në këtë zhytje", u shpreh një notues.
Ndërsa për notuesit kishte rëndësi vetëm gara, pjesa tjetër, ajo e shikuesve, nuk guxoi ta zbulonte fytyrën nga shalli, apo duart nga dorezat. Temperaturat ishin në minus.

"Ka tre vjet që vij të shikoj këtë manifestim, është diçka vërtet e mirë. Janë gjëra që duhen ruajtur si kujtime të vyera se çfarë ndodh nëpër botë", tha një vizitorë.

Në garë mori pjesë edhe notuesi i famshëm italian Xhuzepe Palmuli, i thirrur me pseudonimin 'Mr OK' i cili u kthye sërish këtë vit, me mesazhin drejtuar liderëve botërorë, që të bëjnë më shumë për të ndihmuar njerëzit që vuajnë krizat e luftës dhe varfërisë. Melihate Rutemi

Recommended