LSDM-ja bojkoton zgjedhjet e ardhshme lokale!

  • 9 years ago
LSDM-ja opozitare nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Nga kjo parti njoftuan se të gjitha kërkesat e tyre të ndërlidhura me zgjedhjet pas 24 dhjetorit kanë rënë në ujë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj deputetëve opozitarë të hënën më 24 dhjetor, që u përzunë nga salla e kuvendit. Sipas nënkryetarit të LSDM-së Gordan Georgiev, është e qartë tashmë se qeveria aktuale nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

"Qëndrimi i partisë është se nuk do të marrim pjesë në zgjedhje. Kushtet që përmendem vlenin deri para të hënës kur ndodhi dhuna në Kuvend, edhe me deputetët edhe me gazetarët. Kushtet paraprake - ju kujtohet - ishin lista zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE ODIHR-it të cilat pushteti nuk i pranoi. Nga ajo ditë, nga ajo e hënë ato kushte tashmë janë relevante në situatë kur kemi regjim diktatorial, i cili nuk mund të organizojë zgjedhje normale, të lira dhe demokratike. Për këtë shkak, përsëris "ne në zgjedhjet e ardhshme nuk do të marrim pjesë", deklaroi Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Duke komentuar ftesën e kryeministrit Gruevski për kthim në Kuvend dhe gatishmërinë e Ahmetit për të ndërmjetësuar, u shpreh se LSDM-ja nuk ka ndërmend t'ia plotësojë Gruevskit këtë dëshirë të vitit të ri, ndërsa për sa i përket Ahmetit, ai nuk ka kredibilitet, sepse me praninë në sallë të deputetëve të saj, BDI-ja e legjitimoi dhunën.

"Ne nuk do t'ia plotësojmë atë dëshirë të Vitit të Ri Nikolla Gruevskit. Ne nuk do të kthehemi në Kuvend. Ai mund të ketë shumë dëshira për vitin e ri. Atë mund ta ketë kapur paniku për gabimin që ka bërë të hënën...Ali Ahmeti pas të hënës nuk ka kredibilitet dhe integritet që të ndërmjetësojë në çfarëdo qoftë. Ai dhe deputetët e tij ishin të shurdhër dhe për fat të keq pjesëmarrës të ngjarjeve në Kuvend", u shpreh Gordan Georgiev, nënkryetar i LSDM-së.

Fronti Opozitar i udhëhequr nga LSDM-ja do të vazhdojë me aktivitet e tij, siç tha LSDM-ja, për kthimin e demokracisë qytetarëve. Nga dita e sotme, në shumë qytetet të vendit do të mbahen takime të hapura kuvendore qytetare, ku do të flitet për të vërtetën! Bedri Rexhallari

Recommended