Paraguai, orkestra e instrumenteve të ricikluara

  • 9 years ago
Ajo që për disa njerëz është thjeshtë mbeturinë, për të tjerët mund të jetë një violinë, ose ndonjë tjetër instrument muzikor. Nevojitet vetëm talent dhe dashuri e madhe ndaj muzikës. Një rrëfim shumë interesante vjen nga Paraguai, shtet në Amerikën e Jugut. Një grup muzikantësh të rinj vendosi të punojë instrumente nga materiale të ricikluara dhe me to, të luajë veprat më të njohura të shumë legjendave të muzikës botërore, duke përfshirë Bethovenin dhe Mozartin. Orkestra e instrumenteve të ricikluara është themeluar 5 vjet më parë në një lagje të varfër në qytetin Asension. Atë e formoi mësuesi i muzikës Favio Çavez, nxënësit e të cilit, për shkak të të ardhurave tepër të ulëta, nuk e kishin shansin t'i gëzoheshin një instrumenti të vërtetë. Mësuesi i zgjuar kërkoi ndihmë nga disa njerëz që e siguronin jetesën pikërisht nga riciklimi i mbeturinave, që nuk nguruan të krijonin instrumente të tilla.

"Trupi i instrumentit është punuar nga tubi i galvanizuar që përdorej në pajisjet e ujësjellësit. Sustat për të bërë muzikë janë nga monedhat e vjetra dhe çelësa dyersh", tha Andres Riveros, saksofonist.

"Në kohën kur, mes të rinjve shfaqen vese dhe varësi të ndryshme, këta fëmijë janë në oazën e vlerave artistike. Ata jo vetëm që e kanë ndryshuar jetën e tyre, por kanë ndryshuar edhe jetën e prindërve të tyre. Prindërit e disa prej tyre hoqën dorë nga duhani dhe alkooli për të mbledhur para dhe të vijnë të shikonin koncertin e fëmijëve të tyre. Kjo më bën jashtëzakonisht i lumtur", u shpreh Favio Çavez, themeluesi i orkestrës.

"Gjithmonë dëshiroja të bëhesha një muzikant ose këngëtar. Kur dëgjova se në lagjen tonë ka mësim për muzikë vendosa që të regjistroja mbesën time. I thashë vetes, do ta regjistroj në përgjegjësinë time, kështu që nëna dhe babai i saj le të zemërohen sa të duan. Tani ajo është një violiniste e shkëlqyer në orkestër", theksoi Miriam Kardozo.

Për këtë grup tashmë është bërë edhe një film dokumentar. Janë zhvilluar edhe bisedimet e para që vitin e ardhshëm, muzikantët e rinj të mbajnë koncert në shtetin federal amerikan të Arizonës. Petar Bllazhevski

Recommended