Opozita filloi me protestat e paralajmëruara

  • 9 years ago
Mijëra qytetarë dolën sot në protestat e organizuara nga fronti opozitar i udhëhequr nga Branko Cërvenkovski. Të pranishëm në protestën e sontme krahas Cërvenkovskit dhe funksionarë të tjerë të lartë të LSDM-së ishin edhe kryetari i VMRO-Popullores Lubço Georgievski, ai i PRSD-së Tito Petkovski dhe i PLD-së Andrej Zhernovski. Protesta e cila filloi në ora 18 zgjati deri më ora 18 30minuta. Protesta të ngjashme dhe në të njëjtën kohë u mbajtën edhe në qytetet e tjera si në Kumanovë, Shtip, Strumicë, Manastir dhe Ohër.

Në Shkup dhe Ohër janë shënuar disa incidente. Në qytetin e Ohrit qindra protestues së bashku me kryetarin e Ohrit që vjen nga radhët e LSDM-së, Aleksandar Petreski kishin bllokuar komunikacionin në unazën te spitali në Ohër në shenjë të protestës për shkak të miratimit të buxhetit nga ana partive në pushtet ditën e djeshme.

Protestuesit kanë akuzuar se gjatë protestës një autobus i kompanisë "Galeb" e ka sulmuar turmën e njerëzve edhe pse rruga ishte e bllokuar.

Autobusi ka hipur në trotuar dhe me shpejtësi të madhe e ka vazhduar rrugën dhe ka shkaktuar aksident me një veturë tjetër.

Nga opozita kanë theksuar se janë lënduar dy persona, kurse nga kompania e autobusëve kanë mohuar se autobusi i tyre ka shkaktuar ndonjë incident në Ohër. Alsat-M

Recommended