Ish deputeti Ismet Ramadani dënoi qëndrim indiferent të deputetëve shqiptarë një ditë më parë në parlament. Sipas Ramadanit deputetët e BDI-së dhe PDSH-së pavarësisht se si votuan, me praninë e tyre në sallën ku ushtrua dhunë ndaj kolegëve të tyre dhe gazetarëve, u bënë pjesë e skenarit të përgatitur nga Qeveria.
"Partia që është pjesë e qeverisë BDI-ja....në fakt ishin edhe viktimë e situatës por edhe 'pro' situatës që e krijoi VMRO DPME, ndërsa opozitarët tjerë shqiptarë ata nuk duhej të ishin pjesë e kësaj situate... sepse është mirë që duke u nisur prej një traditë të mirë që e kanë parlamentarët shqiptarë se nuk janë ata të cilët mbështesin dhunën, thyerjet e procedurave dhe të mbështesin situata që janë në kundërshtim me atë që është demokraci e vërtetë dhe kulturë politike", u shpreh Ismet Ramadani, ish deputet.
Ndërkaq sipas profesorit Hasan Jashari, sjellja e partive politike shqiptare është e papranueshme, akoma më shumë kur bëhet fjalë për miratimin e një buxheti anti-shqiptar. Sipas Jasharit nëse 3 partitë shqiptare së bashku do të ngrinin zërin kundër miratimit të këtij buxheti dhe mbështesnin 400 amendamentet e propozuara të RDK-së, atëherë fitues do të ishin shqiptarët.
"Mua më brengos pozita e partisë më të madhe shqiptare e cila në një far mënyrë ishte inferiore dhe jashtë lojës. Po qese nuk luftohet në buxhet i cili shndërrohet në ligj i të hyrave dhe të dalave pra nuk luftohet për investime, nuk luftohet për vende pune, nuk luftohet për jetë të popullatës ku jetojnë shqiptarët. Ky është dështimi më i madh dhe akuza më e rëndë që mund ti bëhet një partie po qe se ajo nuk insiston që për popullatën e vet të siguron vende pune, të sigurojë jetë, të sigurojë investime... Po të kishin insistuar 3 partitë shqiptarë shumë para do të vinin dhe do të ringjalleshe jeta në fshatrat në komunat shqiptare ku popullata po ik dhe bankat shkollore po shprazen", tha Hasan Jashari, profesor universitar.
Ramadani dhe Jashari madje vlerësojnë se pas aktit të djeshëm, kryeministri Gruevski dhe krye-parlamentari Veljanovski dëshmuan se mund të përgatisin skenarë të ngjashëm, për miratimin e çdo ligji, përfshi edhe atë për brantellat. Semra Jakupi
Comments