Andov: Veprimet në Kuvend, antikushtetuese

  • 9 years ago
Incidenti në Kuvend, me përzënien me dhunë të deputetëve të opozitës nga kuvendi, përbën precedent. Kështu thotë ish kryetari i Kuvendit Stojan Andov. Ai ia hodhi përgjegjësinë më të madhe të fajit, kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovskin.

"Prej kohësh ai është ekspozuar në tensione dhe kërkesa të shumta. Me siguri, nga ai është kërkuar diçka më tepër dhe nuk e ka përballuar presionin, ndaj edhe ndodhën aq shumë lëshime procedurale. Nuk e di cilat janë shkaqet për këtë, por cilido duhet të jetë i ndërgjegjshëm se për gjëra të tilla, patjetër duhet të ketë edhe përgjegjësi", tha Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit të Maqedonisë .

Fajtor është ai që ka dhënë urdhrin për veprimin e tillë të sigurimit, thotë Andov.

"Duhet të vërtetohet sipas cilës procedurë ai ka siguruar të drejtën e ndërhyrjes në atë mënyrë. Për të ndërmarrë një gjë të tillë, ai duhet të thirr Kryesinë e Kuvendit, t'i dëgjojë të gjithë, dhe më pas të vijë në përfundim se duhet ta bëjë një gjë të tillë. Ai ndoshta edhe e ka thirrur Kryesinë, por me sa pamë, dje Makraduli tërë kohën ishte në sallë. Atë, ose nuk e kanë ftuar ose ai ka refuzuar të shkojë. Kjo është çështja që duhet të sqarohet për të ditur nëse kryetari i Kuvendit i ka shkelur rregullat gjatë ndërhyrjes së sigurimit në sallën e Kuvendit", u shpreh Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit të Maqedonisë .

Procedura është thelbi i demokracisë dhe nëse disa procedura janë shkelur, kjo jo vetëm që nuk është demokratike, por shteti nuk funksionon si shtet, thotë Andov duke vënë re shkeljen e shumë procedurave, siç është caktimi i seancës për buxhet në të njëjtën ditë kur propozimi ka mbërritur në Kuvend. Duhet të kontrollohet kush dhe si ka nënshkruar në raportet e komisioneve, sepse pa raporte të nënshkruara nga Komisioni për buxhet, nuk mund të votohet.

"Nëse nuk hetohet çështja dhe nëse dëshmohet shkelje e procedurës, situata e tillë mund të na përsëritet, madje edhe me ligjin e branitellave. Ndoshta kjo nuk mundet të përsëritet në këtë ligj, sepse partnerët e koalicionit mund të merren vesh të mos aplikojnë këtë mënyrë, dhe të gjejnë mënyra të tjera. Megjithatë, tashmë është hapur dera që procedurat e Kuvendit, edhe pse të përcaktuara me Kushtetutë, ligj dhe rregullore, të mos vlejnë, por të veprohet sipas vullnetit të shumicës, nëse ajo dëshiron apo jo një gjë të tillë", deklaroi Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit të Maqedonisë .

Pas incidenteve dhe trazirave të djeshme, sot brenda dhe jashtë kuvendit situata ishte e qetë. Thuajse nuk kishte njeri në korridoret e Kuvendit. Të boshatisura ishin edhe sallat e kuvendit. Natasha Stojanovska

Recommended