Komisioni për verifikim e fakteve vazhdon punën në bazë të ligjit dhe kuorumit të paraparë sipas rregullores së punës të komisionit. Dorëheqja e dy anëtarëve të këtij trupi, nuk paraqet pengesë që lustratorët të vazhdojnë punën për të cilën janë zgjedhur. Kështu u shpreh kreu i Lustrimit Tome Axhiev, për radion Evropa e Lirë, sipas të cilit anëtarët e dorëhequr kanë zbatuar politikën e ndonjë subjekti të caktuar politik dhe jo ligjit. Sipas Axhiev vetë fakti se u tërhoqën pas deklaratës së kreut të LSDM-së, flet se ata kanë zbatuar politikën e subjektit që drejton Branko Cërvenkovski.
"Të gjithë e dimë, doli lideri i ashtuquajtur, unë nuk e di se është vërtetë lideri i tyre por zoti Branko Cërvenkovski u shfaq në TV dhe tha që të tërhiqen dhe ata erdhën të nesërmen dhe u tërhoqën...Ne kemi afro 40 lëndë të përfunduara, është i vogël numri i atyre që janë të afërt me këtë opsion politik.
A ka ndonjë nga pushteti aktual?
90 për qind janë të pushtetit aktual...Shumica janë të afërt të këtij pushteti dhe që kanë qenë të afërt. Shumë pak janë nga grupimi tjetër, megjithatë pikërisht kjo u dhemb. Do të thotë ata dëshirojnë që procesi i lustrimit të përfundoj pa mos u lustruar asnjë. A është logjike se disa njerëz në atë sistem kanë punuar dhe kuptohet se do të kapen, për këtë qëllim edhe u formua komisioni", deklaroi Tome Axhiev, kryetarë i Komisionit për verifikimin e fakteve.
Ndërkohë, ditë më parë anëtarët e komisionit për lustrim Janake Vitanovski dhe Bllagoja Geshovski paraqitën dorëheqjet nga postet e tyre për shkak të vlerësimit se lustrimi është duke shkuar në drejtim të gabuar. Vërejtjet e tyre ishin puna tendenciozë dhe selektive e komisionit dhe shndërrimi i tij në instrument të pushtetit për përballje me kundërshtarët.
"Pos asaj që këtë komision e udhëheq kryetar jo-legjitim, ky komision disa herë shpalli për bashkëpunëtor njerëz të cilët jo vetëm që nuk ka fakte të mjaftueshme që kështu në këtë mënyrë publikisht të etiketohen, por ekzistojnë dokumente që dëshmojnë se ata nuk kanë qenë bashkëpunëtorë. Nga ana tjetër disa herë me mbivotim qëllimisht janë lënë një numër i madh i funksionarëve aktual dhe janë amnistuar nga përgjegjësia bashkëpunëtorët e vërtetë që duhej të ishin lëndë e përpunimit nga ana e komisionit", tha kohë më parë Janake Vitanovski, ish anëtarë i KVF.
Vërejtje për punën e komisionit për verifikimin e fakteve kishte edhe Komisioni i Venecias si dhe ekspertët vendor. Bedri Rexhallari
Comments