Numri '1' i Odës ekonomike të Maqedonisë Branko Azeski thotë se ka ardhur koha për Aleanca të reja të biznesit që do t'i dërgojnë kompanitë e Maqedonisë në tregjet e Azisë dhe ish Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, kriza në BE do të zgjasë edhe për shumë kohë, prandaj duhet të hapen tregje të reja përmes bashkëpunimit rajonal, para se gjithash me Turqinë.
"Mendoj se është kohë e fundit që ta bëjmë këtë dhe t'i hapim perspektivat për kompanitë tona nga Ballkani drejt tregjeve të reja, pasi kriza në BE do të zgjat edhe më tej, kurse kjo i limiton hapat tonë në këtë drejtim", tha Branko Azeski, kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë.
Sipas anëtarit të Odës, Antoni Peshev në lojë po hyn plani B sipas të cilit kompanitë e Maqedonisë do t'i drejtohen njëra-tjetrës, e jo vetëm ndaj tregjeve evropiane. Mbi këtë, Oda paralajmëroi se do të fillojë me rishikim e të gjithë ligjeve që janë nxjerrë për tu harmonizuar me BE-në, nëse një pjesë e tyre janë drejtpërsëdrejti të dëmshme për ekonominë maqedonase.
"Vlerësojmë se një pjesë e rëndësishme e Ligjeve të miratuara nën presionin e BE-së po shkaktojnë pengesë serioze ose shpenzime të mëdha për kompanitë maqedonase. Do të bëjmë revidim serioz të atyre ligjeve dhe do të propozojmë ndryshime ose suspendim apo ndërprerje të implementimit të ligjeve deri në kohën kur Maqedonia vërtetë do të jetë para dyerve të BE-së", u shpreh Antoni Peshev, Oda ekonomike e Maqedonisë.
Në rrugën drejt tregjeve të reja ndihmën e tyre e ofruan turqit. Nga Oda e tyre që numëron mbi 2 milionë anëtarë thonë se dëshirojnë dhe mund të na ndihmojnë t'i hapim tregjet e reja ndaj të cilëve do ta përmirësojmë ekonominë maqedonase.
"Dëshirë çdoherë ka, kurse fuqi vërtetë ka, vjet kishim 12 për qind rritje të ekonomisë sonë", u shpreh Hasan Hosben, Oda ekonomike e Turqisë.
Thellimi i bashkëpunimit midis Odës ekonomike të Maqedonisë dhe Turqisë ndodhi sot në Forumin në të cilin morën pjesë të gjitha odat e përziera ekonomike të Turqisë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë Forum, Oda ekonomike e Maqedonisë i dorëzoi çmimin special njeriut të parë të EVN -- Maqedoni Verner Hengst për bashkëpunimin e mirë mes kompanive dhe kësaj ndërmarrjeje energjetike. Goran Temenugov
Comments