Pas më shumë se katër vite udhëtim nëpër oqeanet, ekspedita e ekologëve të rinj, Pangea, u ankorua në portin e Monakos. Të kryesuar nga hulumtuesi zviceran, Majk Horn, në kuvertën e anijes qëndruan dhjetëra nxënës të shkollave të mesme, pjesëmarrës në etapën e fundit të projektit hulumtues. Njeriu e humbi kontaktin me natyrën, tha Horn duke shtuar se ekspeditat e këtilla janë mënyra e vetme për t'i njohur vlerat e saj.
"Ekspeditën e organizova me qëllim që t'u tregoj fëmijëve se mësuesi ynë më i mirë është natyra. Besoj se për secilin prej tyre kjo ishte përvojë e veçantë", tha Majk Horn, hulumtues.
Se me të vërtetë ia ka dalë mbarë në këtë drejtim tregojnë edhe xhirimet që ekipi i prezantoi para opinionit.
"Unë e mata temperaturën e ujit, mesatarja e të cilit është më e lartë se gjatë viteve të kaluara", u shpreh Marija Ribas, nxënëse nga Spanja.
"Fillova të ëndërroj për më shumë meqë mësova se gjithçka është e mundshme", theksoi Simon Shtajker, nxënës nga Gjermania.
"Këto janë një ndër ditët më të bukura në jetën time", tha Nikollas Valldivezo, nxënës nga Kili.
"Doemos duhej të bëj diçka për të mirën e natyrës", theksoi Karlin Vollmers, nxënëse nga Afrika e Jugut.
Në fund, vijoi edhe konstatimi. Ngrohja globale shkakton kaos, tha Horn, duke shtuar se ardhmëria e planetit është cenuar seriozisht.
"Trashësia e akullit e cila më parë arrinte 40 centimetra tani është vetëm 15. Këtë nuk e them si politikan i trashë, por si njeri që e pa situatën në vendin e ngjarjes", tha Majk Horn, hulumtues.
I gjithë projekti përbëhej prej 12 ekspeditave, në të cilin morën pjesë gjithsej 100 nxënës të moshës prej 15 deri 20 vjeç nga 40 vende të ndryshme të botës. Petar Bllazhevski
Comments