Straçincë, nxënësit do të ngrohen me kaloriferë

  • 9 years ago
Ngrohja me dru do të mbetet e kaluar e hidhur për nxënësit e shkollës periferike "Kirili dhe Metodi" të fshatit Straçincë. Prej sot do të ngrohen me kaloriferë me rrymë të cilat janë investim i komunës së Gazi Babës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, në kuadër të projektit "Forume në bashkësi". Përveç ndërrimit të sisitemit të ngrohjes, në shkollën në fjalë u bënë edhe disa renovime të tjera; u rregullua hapësira për futboll të vogël, u bë sanimi i pajisjeve për aktivitete të edukatës fizike si dhe u vendos koshi për basketboll. Sipas kryetarit të komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski investimet për këtë shkollë kapin shumë prej 1 milionë e 400 mijë denarë.

"Ky është vazhdim i aktiviteteve që Komuna e Gazi Babës zhvillon në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, me qëllim të përmirësimit të kushteve për mësim. Gjithashtu dua të theksojë se do të vazhdojmë me këto aktivitete përmes Forumit në bashkësi. Janë përcaktuar 5 shkolla me vlerë prej 5 milionë e 400 mijë denarë pjesëmarrje në projekt për rikonstruimin dhe përmirësimin e objekteve shkollore. Në mesin e pesë shkollave bën pjesë edhe kjo shkollë, kështu që këtu edhe gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdojmë më sanimet. Projektet e numëruara që sot I përuruam solemnisht, kapin vlerën prej 1 milionë e 400 mijë denarësh", deklaroi Toni Trajkovski, kryetar i Komunës së Gazi Babës.

"Ne vazhdojmë edhe më tutje me rikonstruime dhe ndërtime të objekteve të reja shkollore në nivel nacional. Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të cilat kanë bërë kërkesë në Ministrinë e arsimit dhe shkencës për investime konkrete në përmirësimin e kushteve më optimale dhe zhvillimin e procesit edukativo arsimor ne e kemi parasysh. Tani jemi duke përgatitur edhe programet për vitin 2013 për ndërtim dhe rikonstruim të shkollave fillore të mesme në nivel nacional", deklaroi Safet Neziri, zv ministër i arsimit.

Drejtori i shkollës Toshe Jovanovski tha se donacioni i përcaktuar nga projekti 'Forume në Bashkësi' do të plotësoj edhe shumë nevoja të tjera të shkollës periferike.

"Me këto kushte më të mira fitojnë nxënësit, mësuesit por edhe rrethi më i gjerë dhe prindërit e nxënësve. Shkolla edhe në të ardhmen do të përpiqet të përmirësojë kushtet për punë dhe këtë besoj se do ta arrijmë përmes Forumit në bashkësi, veçmë e kemi donacionin e përcaktuar dhe ai do të shfrytëzohet në interes të nxënësve dhe shkollës", tha Toshe Jovanovski, drejtor i sh.f "Kirili dhe Metodi".

Sipas drejtorit, shkolla fillore "Kirili dhe Metodi" numëron gjithsejtë 510 nxënës, prej tyre 130 janë nxënës shqiptar të cilët ndjekin mësimin ne shkollën periferike të fshatit Straçincë. Melihate Rustemi

Recommended