Mjekët grevistë vihen kundër inspektorëve

  • 9 years ago
Sindikata e Pavarur e Qendrës Klinike është hedhur në sulm kundër Inspektoratit Shtetëror të Shëndetësisë. Sipas Sindikatës, Inspektorati nuk ka të drejtë të caktojë masa disiplinore e gjoba, si dhe të caktojë orarin që ambulancat të punojnë nga ora 8 deri në 11, dhe të sëmurët rëndë të operohen. Sipas Sindikatës, gjithë kjo fushatë monitorimi është e paligjshme dhe, ndaj Inspektoratit do të ngrihet padi.

"Inspektorati shtetëror i Shëndetësisë nuk ka kompetenca të marrë masa të tilla. Së dyti, të gjitha klinikat dhe spitalet në rang Republike, punojnë sipas rregullave që i janë dhënë si minimum në kushtet e grevës së përgjithshme, dhe këtu nuk ka asnjë kundërvajtje", tha Dejan Stavriq, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Qendrës Klinike.

Mjekët grevistë thonë se 5 pacientët me kancer që ishin kthyer nga Klinika e Gjinekologjisë, nuk u operuan për shkak se ashtu vendosi Këshilli i Klinikës. Arsyeja ishte se duhet të kryheshin disa analiza të tjera diagnostike.

"Inspektimi në kohën të grevës, e shohim si presion nga autoritetet shëndetësore, me qëllimin e vetëm të ndërprerjes së grevës, dhe jo se ata gjoja tregojnë kujdes ndaj pacientëve. Ne jemi profesionistë të ndërgjegjshëm dhe nuk do të lejojmë që jeta e dikujt të rrezikohet", u shpreh Azra Kuç, Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

"Mjeku nuk është si rremtar anije, që dikush ta detyrojë me dhunë për të ndryshuar drejtimin. Kështu duket se po veprohet përmes inspektimeve dhe disa autoriteteve shëndetësore, pra na detyrojnë me kamxhik. Mundin që po bëjmë, jo vetëm që është fizik, por psiko-fizik. Që të punosh si mjek dhe t'i ofrosh maksimumin pacientit, nevojitet gatishmëri psiko-fizike", tha Snezhana Georgievska, Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë informon se institucioni i tij nuk është në grevë dhe se pacientët mund të vijnë për trajtim.

"Thonë se në Onkologji ka grevë... në Onkologji kthehen pacientët për trajtim, nuk është ashtu. Pra, për fat të keq, pacientët me sëmundje malinje kthehen nga degët kirurgjike, dhe ata kanë nevojë për operim sa më shpejt", theksoi Milani Risteski, drejtori i klinikës së Onkologjisë dhe Radioterapisë.

Nuk ka grevë as në Klinikën për Sëmundjeve Infektive dhe të Toksikologjisë, ku po trajtohen rastet emergjente. Bojana Simonoviq

Recommended