Saraçini: Investoni në efikasitetin energjetik

  • 9 years ago
"Kompanitë duhet të investojnë në drejtim të efikasitetit energjetik. Kështu, ato jo vetëm që do të kursejnë, por do të jenë edhe më konkurruese". Ky ishte mesazhi që ministri i Ekonomisë Valon Saraqini iu dha krerëve të EVN-Maqedonisë, Verner Hengst dhe TAV- Maqedonisë Zoran Krstevski. Ata thonë se në kohën kur energjia elektrike po shtrenjtohet, kompanitë vendore duhet të kujdesen patjetër për mënyrat se si e shpenzojnë rrymën e shtrenjtë dhe si mund të kursejnë atë. TAV-Maqedoni, me aeroportin Aleksandri i Madh është një ndër kompanitë e para që kanë vendosur sistem të tillë rregullues të shpenzimit të rrymës.

"Në fillim vendosëm sistem BMC i cili mundëson menaxhim më të mirë të objektit. Në të është edhe sistemi SKADA që mundëson tregimin e rrymës së shpenzuar madje parashikon edhe optimalizimin e energjisë që do ishte e nevojshme për cilindo funksion në aeroport. Me 100 mijë eurot e investuara në këtë sistem, tashmë kemi 20për qind ulje në shpenzimin e energjisë elektrike", deklaroi Zoran Krstevski, menaxher i përgjithshëm i TAV- Maqedoni.

Kryetari i Këshillit Drejtues të EVN-Maqedonisë Verner Hengst, u bëri thirrje të gjitha kompanive vendore të ndjekin shembullin e TAV-Maqedonisë, në mënyrë që të rikthejnë paratë e investuara në këtë sistem.

"Efikasitet energjetik do të thotë, të fitosh efekt të njëjtë me harxhime më të vogla të energjisë elektrike dhe me më pak shpenzime. Kjo është shumë e rëndësishme në kohë kur energjia elektrike bëhet produkt gjithnjë e më i shtrenjtë", u shpreh Verner Hengst, Kryetari i Këshillit Drejtues të EVN-Maqedoni.

"Sipas përvojës së deritanishme dhe zbatimin e efikasitetit energjetik në objektet publike, kursimet vjetore të shpenzimit të energjisë elektrike shkojnë nga 40-50 për qind. Ky është edhe një fakt që tregon se kursimet janë të mëdha", deklaroi Valon Saraçini, ministër i ekonomisë.

Platforma për efikasitet energjetik, "Mendo dhe kurse" filloi të realizohet nga tetori i këtij viti, e realizuar nga ministria e Ekonomisë dhe EVN- Maqedoni. Verica Pavlloska