Izraeli kërcënoi se do të shfuqizojë disa marrëveshje me Autoritetin Palestinez, pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi të avancojë statusin palestinez në organizatën botërore, nga entitet mbikëqyrës në shtet mbikëqyrëse jo anëtar. Zv/kryeministri izraelit, Moshe Jalon tha se vendi i tij do të tregojë se cilat marrëveshje do të mbeten në fuqi dhe cilat jo. "Izraeli do të përgjigjet kur të jetë e nevojshme", shtoi ai. Ndërkohë, presidenti palestinez, Abu Mazen paralajmëroi se procesi paqësor mund të ripërtërihet vetëm në qoftë se Izraeli sërish vendos moratorium mbi aktivitetet ndërtimore në lagjet hebraike në Bregun Perëndimor. Një natë më parë, qeveria izraelite miratoi ndërtimin e 3 000 banesave të reja në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor. Vendimi ndezi polemika, ndërkohë që për palestinezët është i papranueshëm. Ata kërkojnë që shteti i ardhshëm palestinez të përfshijë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor si kryeqytet.
"Politika jonë e vendngulimeve, aktiviteti unë i ndërtimit të vendngulimeve, është sipas interesit tonë kombëtar, dhe mendoj se ka një konsensus për banesat e reja në Jerusalem, Maale Adumin dhe Gush Etzion. Po përpiqemi që të mos krijojmë provokime, jo palestinezët, askënd, edhe pse mendojmë se është e drejta jonë të përkufizojmë kryeqytetin tonë, dhe vendimmarrja rreth ndërtimeve, sipas pikëpamjes dhe çështjes sonë të sigurisë, është pjesë e interesit tonë kombëtar", tha Avigdor Lieberman, ministër i Jashtëm i Izraelit.
Vendimi acaroi jo vetëm palestinezët por edhe shtetet perëndimore. Uashingtoni e cilësoi si "kundër-produktiv" këtë plan. Sekretarja amerikane e Shtetit Hilay Klinton tha se plani shënon hapa prapa në negociatat e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. Nga ana tjetër, kancelaria gjermane Merkel, thekson se siguria e shtetit izraelit duhet të garantohet.
"Sigurisht, mbi të gjitha qëndron garantimi i sigurisë së Izrealit. dhe Gjermania do të qëndrojë gjithmonë në anën e kësaj çështje. E bëjmë sërish të qartë, sikurse edhe gjatë kohës së sulmeve nga Hamasi, se Izraeli ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë dhe obligim të mbrojë qytetarët e tij", tha Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë.
Merkel tha se Gjermania mbështet një zgjidhje për dy shtete, atë Izraelit dhe atë Palestines. Për këtë, Merkel bëri thirrje për rifillimin sa më shpejt të jetë e mundur të bisedimeve të paqes. Bedri Rexhallari
Comments