Skip to playerSkip to main content
  • 10 years ago
Familja 8 anëtarësh Arifi nga fshati Novosellë, e cila deri para disa ditësh jetonte në ankthin e shtëpisë së vjetër dhe të çare nga të gjitha anët, tani do të mund ta bëjë gjumin e qetë. Falë angazhimit të popullit human dhe shoqatës "Mëshira", kjo familje ka një shtëpi të re, dhe të bukur. Televizioni Alsat, që pati ndërgjegjësuar opinionin publik shumë kohë më pare për gjendjen e kësaj familje, e vizitoi nga afër atë sërish, për të pare ambientet e reja. Me lot në sy nga gëzimi, familjarët thonë se tashmë, shtëpia ku dikur, për shkak të kushteve të këqija u vdiq një fëmijë, sot do të jetë një kujtim i hidhur.

"Tani e ndjej veten sikur kam lindur për së pari herë. Ju faleminderit Alsatit, Mëshirës dhe krejt popullit që më kanë ndihmuar shumë. Pikësëpari Alsat-M, Hakiu dhe gjithë populli, më kanë ndihmuar vërtetë mi kanë shpëtuar fëmijët. Mi keni gëzuar fëmijët tani janë rehat nga që ishin më herrët", deklaroi Xhelal Arifi.

E zonja e shtëpisë Lulzimja, që dikur thoshte se koftori nuk ngrohte veten e tij e jo më njerëzit, sot, ndihet e lumtur për ngrohtësinë në shtëpi, dhe buzëqeshjen e fëmijëve të saj.

"Jo më nuk frikohem, sivjet jam shumë e lumtur shumë e gëzuar. Ju faleminderit juve pikësëpari që u bëtë shkaktar, pastaj Hakiun dhe gjithë ata që më ndihmuan. Mu bë shtëpia shumë e gëzuar jam, mjafton që kur vjen nata, i ftohti nuk na depërton askund, ma mirë se unë nuk ka, zoti ju bekoftë. Mjafton që në mëngjes kur ua ndezi koftorin bën ngrohtë i madh, herëve tjera nuk ngrohej dhoma se hynte i ftohti nga të gjitha anët, sivjet s'ka nga hynë më", tha Lulzime Arifi, zonja e shtëpisë.

Shtëpia u ndërtua falë edhe shoqatës Mëshira, e cila vlerëson mbi të gjitha mbështetjen e njerëzve humane.

"Për neve si shoqatë ishte një kënaqësi shumë e madhe, sepse gjetëm një përkrahje të madhe mes fshatarëve këtu dhe falënderoj tërë popullatën që na përkrahu. Siç tha edhe zonja është shtëpia e parë që u kry për një afat rekord për tre muaj", tha Haki Lushtaku / drejtues i SH.K.H. "Mëshira"

Familja Arifi na përcolli me urata të shumta. Dera e shtëpisë qëndronte hapur, si për t'i treguar gjithë botës se nuk ka shi dhe breshër që të ftohë më këtë familje. Bashkim Sulejmani

Category

📺
TV
Comments

Recommended