Të punësuarit e hekurudhave në administratë

  • 9 years ago
Të punësuarit në "Hekurudhat e Maqedonisë -- Infrastrukturë" do të sistemohen në vende të reja pune nëpër institucionet ku ka nevojë për punëtorë. Këtë e konfirmoi edhe kreu i "Hekurudhave të Maqedonisë-Infrastruktura", Irfan Asani. Ai shprehet se udhëheqësia, Qeveria, punëtorët dhe sindikata, kanë shqyrtuar bashkërisht modelin sipas të cilit teprica e punëtorëve do të sistemohet në ndërmarrje të reja shtetërore.
Jo zyrtarisht, Alsat M mëson se, në "Hekurudhat e Maqedonisë -Infrastruktura" ka rreth 300 punëtorë tepricë, por tani vetëm 70 do të shkojnë në vende të reja të punës. 10 prej tyre, sipas udhëheqësisë, janë nëpunës shtetërorë dhe ata do të sistemohen në vende të reja pune, sipas arsimimit të tyre. 60 të punësuarit e tjerë që nuk janë nëpunës publikë duhet të shpallen tepricë teknologjike, e pastaj, sipas Ligjit për marrëdhënie pune, do të shkojnë në ndërmarrje publike ku ka nevojë për punëtorë.
Spekulohet se një pjesë e punëtorëve do të shkojnë të punojnë në Bibliotekën Universitare, qendrat për kulturë, në Teatrin e Dramës dhe në Teatrin për Fëmijë dhe të Rinj, Shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë, si dhe në Muzeun e Qytetit të Shkupit. Një pjesë e punëtorëve, ndonëse nuk duan të flasin para kamerës, konfirmojnë se tashmë u është thënë se në çfarë pozicione pune dhe në cilat institucione do të punojnë në të ardhmen. Verica Pavlloska

Recommended