Kryeministri Nikolla Gruevski, në takimin e djeshëm me ambasadorët e akredituar në vend ka dënuar ashpër përdorimin e termit 'sllavo-maqedonas' nga ambasadori i BE-së Aivo Orav. Alsat-M mëson se në takimin e zhvilluar në qeveri, Gruevski i ka akuzuar madje diplomatët e huaj se nuk ia duan të mirën Maqedonisë. Nga ana tjetër në tubimin partiak të partisë të tij në Tetovë, Gruevski e quajti fjalorin e ambasadorit Orav si provokim të mundshëm për ta shtyrë Maqedoninë të ndërmarr ndonjë hap që nuk do të ishte në interes të saj.
"Unë nuk dua të besoj se ajo që ndodhi këto ditë, presionet e ndryshme brenda shtetit, presionet e ndryshme jashtë shtetit, provokimet e ndryshme duke e quajtur kombin tonë me emra të ndryshëm....nuk dua të besoj se janë pjesë e skenarëve të mundshme për të ushtruar presion që vendi të ndërmarrë ndonjë hap që do të ishte në interes të dikujt tjetër", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.
Ndërkaq Presidenti Ivanov i cili dje thirri në konsultime urgjente ambasadorin e BE-së Aivo Orav, as sot nuk pranoi të prononcohej mbi përmbajtjen e diskutimeve në takim.
"Ambasadori Orav kishte deklaratë, dhe gjithçka u tha në atë deklaratë", u shpreh Gjorge Ivanov, Presidenti i Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Nikolla Popovski përsëriti qëndrimin e një ditë më parë, se përfaqësuesit evropianë duhet të promovojnë vlera demokratike dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. Sipas Popovskit, më me rëndësi është që Maqedonia të fokusohet se si të bëhet sa më shpejtë pjesë e bashkësisë evropiane, dhe të jetë pjesë e vendimmarrjeve prej atje. Ndërkaq, duke komentuar takimet e negociatorëve Jolevski dhe Vasilakis në Nju Jork, me ndërmjetësin Nimic, Popovski tha se është herët të bëhen vlerësime dhe se Maqedonia mbetet në qëndrimet paraprake, respekton obligimet e ndërmarra më herët dhe është partner konstruktiv në të gjitha kontaktet rreth çështjes së emrit.
"Në këtë moment, duhet të lëmë të përfundojë ky cikël bisedimesh... më pas të kemi kohë të mbledhim informata dhe të dalim me qëndrimet e tona. Mendoj se është shumë herët dhe jo adekuate të merremi me parashikime, kur ky cikël ende nuk ka përfunduar", tha Nikolla Popovski, ministër i Jashtëm.
Për sa i përket samitit të dhjetorit të Këshillit të BE-së, Popovski tha se pret nga shtetet anëtare të BE-së që të tregojnë qasje konstruktive dhe të respektohet parimet e BE-së për sa i përket përmbushjes së kushteve të nevojshme nga Maqedonia. Semra Jakupi
Comments