Gaza, goditet selia qendrore e Hamas-it

  • 9 years ago
Ushtria izraelite dislokoi baterinë e pestë anti-raketore në zonën e Tel Avivit, në mbrojtje nga raketat palestineze. Brenda 48 orëve të fundit, militantët islamik të Hamasit kanë lëshuar 3 raketa drejt Tel Avivit, duke shkaktuar dëme në një qendër tregtare dhe një tjetër objekt, por pa viktima. Ndërkaq, 4 bateritë e para anti-raketore, janë dislokuar shumë më në jug, në kufirin me gazën. Këto bateri sigurojnë mbrojtje nga sulmet me raketa armike në një rreze nga 5 deri në 70 km, si dhe nga mortajat.
Vendimi për dislokimin e baterive anti-raketore, ishte marrë nga këshilli i sigurisë kombëtare izrealite, ndërsa sot në mëngjes, qeveria e Tel Avivit autorizoi zyrtarisht mobilizimin edhe të më shumë se 75 mijë rezervistëve, për t'u përgatitur të ndërhyjnë nga toka, për një pushtim të mundshëm të Gazës. Izraeli shprehet i vendosur të ndëshkojë Hamasin, grupin islamik që qeverisë Rripin e Gazës, i cili mori përgjegjësinë e lëshimit të raketave drejt Jeruzalemit dhe Tel Avivit.
Pasi një raketë vrau 3 izraelitë, forcat izraelite u kundërpërgjigjën për tre ditë me radhë me sulme ajrore, që sipas autoriteteve në Gaza, shënuan 29 viktima; me të cilëve 13 militantë të Hamasit dhe 16 civilë. Ndër civilët e vrarë, përmendeshin edhe 8 fëmijë dhe një grua shtatzënë.
Sot nga gaza, ministri i jashtëm tunizian Rafik Abdeslem, i dyti zyrtar i huaj që viziton këtë rajon pas tensionimit të situatës, i bëri thirrje Izraelit të ndalë agresionin.
"Ka një të drejtë ndërkombëtare, dhe ka masa shtrënguese ndërkombëtare. Kështu që, ajo që po bën Izraeli është e papranueshme dhe e paligjshme. Izraeli duhet të kuptojë se shumë gjëra kanë ndryshuar në botën arabe, dhe duhet të njohë faktin se ai nuk është plotësisht i lirë apo jo totalisht i fortifikuar, apo të jetë mbi ligjin ndërkombëtar", tha Rafik Abdeslem, ministër i jashtëm i Tunizisë.
Sipas të dhënave më të fundit, Izraeli po përgatitet për ndërmarrjen e një vale sulmesh të intensifikuara një javore. Semra Jakupi

Recommended