Studeniçan, hapet qendra për aftësimin e grave

  • 9 years ago
Në fshatin Studeniçan u hap Qendra për aftësimin e grave me qëllim të afirmimit të gruas në këtë komunë, ngritjen e pozitës së saj si dhe inkurajimin e tyre në nisma të ndryshme edukative dhe kulturore. Qendra është pjesë e Asociacionit për afirmimin e gruas që vitin e kaluar u themelua në Shkup. Kryetarja e Asociacionit, Ajgyl Sulejmani tha se gratë fillimisht do të ndjekin kurse të gjuhës angleze dhe të rrobaqepësisë për të vazhduar më pas me kurse të gjuhëve tjera dhe aktivitete tjera.
"Në kuadër të kësaj qendre do të vijohet kursi i rrobaqepësisë dhe kursi i gjuhës angleze, në bazë të informatave që i kemi ka të interesuar dhe numri është plotësuar për grupin e parë. Puna jonë nuk do të mbarojë këtu, qendra të tilla të radhës do të ketë gjithandej ku do të paraqitet nevoja dhe kërkesa për qendra të tilla ", deklaroi Ajgyl Sulejmani, kryetare e AAG-së.
"Do ti motivojë gratë shqiptare të Komunës së Studeniçanit që të marrin pjesë që të trajnohen dhe sigurisht në të ardhmen të kenë pavarësinë e tyre në aktivitetet punuese dhe profitabile e kështu me radhë", u shpreh Fati Iseni, kryetar i Komunës së Studeniçanit
Hapja e Qendrës u mundësua nga Organizata Humanitare "Kalliri i Mirësisë" përmes një organizate humanitare nga Britania e Madhe.
"Kjo na ka bërë që të mendojmë se si të planifikojmë dhe si të hulumtojmë mundësitë për të gjet donatorë të cilët do të mbështesin ngritjen e qendrave aftësuese dhe hulumtuese të cilat do të bëjnë edhe ngritjen e nivelit arsimor aftësues dhe edukativ të popullatës dhe do ti paisin me zanate të ndryshme të cilat do t,ua mundësojnë atyre të ndryshojnë situatën e tyre ekonomike", theksoi Rufat Sherifi, kryetar i O.H "Kalliri i Mirësisë".
Misioni i Asociacionit për Afirmimin e Gruas është afirmimi i pozitës së gruas në shoqëri, mbrojtja dhe zhvillimi i të drejtave të saj, nxitja e arsimimit dhe ngritjes intelektuale, mbështetja e grave drejt një roli më aktiv në jetën shoqërore, si dhe ruajtja e vlerave fisnike dhe shenjtërisë së familjes. Melihate Rustemi

Recommended