Në llogarinë e sotme para qytetarëve për katër vitet e kaluara si kryetar i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski u përgjigj kritikave të kundërkandidatit të tij nga radhët e LSDM-së, Jani Makraduli. Socialdemokratët në mitingun e mbrëmshëm të opozitës së bashkuar, kritikuan punën e Trajanovskit duke e akuzuar atë se është kryebashkiak pa ide.
"Koces si sukses më i madh do i mbetet mëngjesi në Urën e Gurit, që për fat të keq u shndërrua në rrahje mes të varfërve", tha Jani Makraduli, kandidat për kryebashkiak të Shkupit.
"Unë nuk do doja ta komentoj atë. Mëngjesi në urë ishte një nga projektet e Qytetit të Shkupit. Nëse dikush nuk lëviz nëpër bulevarde dhe nëse nuk i ka parë se si kanë qenë ato dhe si janë tani, atëherë unë këtu nuk mund të ndihmoj asgjë", deklaroi Koce Trajanovski, kryebashkiak i Shkupit.
Në llogarinë e tij Trajanovski i numëroi projektet e realizuara, mes të cilave theksin e vuri në ndërtimin e urës në Saraj, rikonstruimin dhe zgjerimin e bulevardeve, unazat dhe kanalizimet fekale. Përveç llogarisë për projektet e realizuara, ai i paralajmëroi edhe projektet për të ardhmen.
"Qyteti i Shkupit nuk ndalon këtu, ne jemi në fazën përgatitore të dokumentacionit për projektin e rrugës nëntokësore që do fillojë prej urës Goce Dellçev dhe do të përfundojë tek kompleksi i bankave. Qyteti i Shkupit përgatiti disa studime fizibiliti për Luna Parkun, gjithashtu kemi bërë studimin për vendosjen e tramvajit në Shkup, kemi bërë studim edhe për shtegun e skijimit në Vodno", deklaroi Koce Trajanovski, kryebashkiak i Shkupit.
Me gjithë llogarinë që e dha dhe numërimin e projekteve për të ardhmen, Trajanovski nuk deshi të komentojë nëse edhe zyrtarisht për herë të dytë do të kandidohet për postin e kryebashkiakut të Shkupit. Petar Bllazhevski
Comments