MPB-ja nuk lejon rrezikimin e liberalizimit të vizave

  • 9 years ago
Ministria e Punëve të Brendshme është e gatshme të përballet me valën e re të qytetarëve nga Maqedonia të cilët kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian, me çka rrezikojnë liberalizimin e vizave për 2 milion qytetarët e tjerë. Ministrja Jankullovska porositi qytetarët që të mos manipulohen nga individë të caktuar pasi në asnjë vend të BE-së nuk mund të realizojnë të drejtën e azilit.
"Si Ministri e brendshme në periudhën e kaluar kemi realizuar më shumë aktivitete me qëllim zbulimin e organizatorëve, apo të atyre personave që kanë gënjyer kërkuesit e azilit, apo u kanë premtuar azil në vendet evropiane. Vazhdojmë me aktivitete e tilla dhe gjithë ata që do të shkelin ligjin do të përballen me sanksione, sepse jo vetëm që shkelin ligjet e RM-së por rrezikojnë të drejtën e 2 milion njerëzve për lëvizje të lirë", tha Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Ndërkohë, sipas Jankullovskës çdo vendim i marrë nga këshilli i ministrave të BE-së në drejtim të kthimit të vizave do të ishte vendim shumë i ashpër. Megjithatë Jankullovska shprehet e vetëdijshme se çështja për mekanizimin për kontroll të valës së rritur të azilantëve, është e drejtë legjitime për të cilën vendet anëtare të BE-së duhet të bisedojnë.
"Personalisht mendoj se do të ishte vendim i gabuar kundrejt cilit do vend që ka marrë liberalizim të vizave që të ndërmerret një hap i tillë radikal. Sepse definitivisht liberalizimi i vizave është e arritura më e madhe për qytetarët e RM-së nga procesi euro-integrues, së paku deri tani", deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e brendshme.
Ndryshe Këshilli i ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme të BE-së, në takimin e sotëm në Luksemburg do të debatojë për valën e azilantëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me kërkesë të disa vendeve anëtare të BE-së, midis të cilave Franca dhe Gjermania.
Bedri Rexhallari

Recommended