Presidenti amerikan Barak Obama dhe kandidati rival presidencial nga partia Republikane Mit Romni, u përballën mbrëmë në duelin e fundit televiziv, në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit. Në qendër të debatit ishte sërish politika e jashtme. Që në fillim të duelit, Romni e akuzoi Obamën se ka lejuar që në Lindjen e Mesme të sundojë kaosi, madje duke hequr dorë edhe nga aleatët amerikanë. Por Obama i cili ishte më i aktiv gjatë debatit, duke bërë kujdes për ato që fliste Romni duke iu kundërpërgjigjur me stil.
"Shikoni se çfarë ndodh në botë. Irani, prej 4 vjetësh është shumë pranë bombës atomike. Në Lindjen e Mesme është rritur vala e dhunës, kaosit dhe trazirave. Xhihadistët vazhdojnë të zgjerohen. Në Siri 30 mijë civilë janë vrarë, ndërsa Asad ende është në pushtet! Koreja e Veriut eksporton teknologji bërthamore. Rusia nuk dëshiron më ta respektojë marrëveshjen për mos përhapjen e armëve bërthamore. Ndikimi ynë po bie, pjesërisht për shkak se presidenti ynë nuk arriti të ballafaqohej me sfidat ekonomike këtu në vend", deklaroi Mit Romni, kandidat për president të SHBA-ve.
Presidenti Obama akuzoi Romnin për politika të vjetruara. Obama përdori qëndrimin e zbutur ndaj Rusisë, duke thënë se nuk është më armiku kryesor i SHBA-së, siç e shikon aktualisht Romni.
"Guvernator, ju dëshironi që të ktheni në politikën e jashtme, politikat e viteve 1980. Me politikat sociale ju jeni akoma në vitet 1950, ndërsa me politikat ekonomike jeni në vitet 1920. Ju thoni se nuk doni të përsërisni atë që ndodhi në Irak, por nga ana tjetër, doni akoma më shumë ushtarë në Irak. Ju dërgoni mesazhe konfuze si për ushtarët ashtu edhe për aleatët tanë", tha Barak Obama, president i SHBA-ve.
Sondazhet tregojnë se qytetarët janë thellësisht të ndarë për qëndrimin se kush ishte më i mirë në këtë debat. CNN gjithsesi, tregonte një epërsi minimale për Obamën.
"Debati i sotëm ishte i pabesueshëm. Mendoj se të dy kandidatët ishin jashtëzakonisht të fortë. Tani për tani, nuk kam një qëndrim të përcaktuar, por kur të më kalojnë përshtypjet e para, do të vendos për cilin prej tyre do të votoj", u shpreh Benxhamin Feningson, banor i Kalifornisë.
"Mendoj se sonte Omaba ia ktheu goditjen. Ai qëndroi në mënyrë të shkëlqyeshme dhe la përshtypjen e një presidenti të vërtetë", u shpreh Dejvid Sançez, banor i Kalifornisë.
Beteja kryesore për garën presidenciale do të fokusohet tek shteti federal i Ohajos, që është kyç për të dyja palët, dhe ku Obama ka një epërsi të vogël para Romnit. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të zhvillohen më 6 nëntor. Petar Bllazhevski
Comments