Lisiçe, Konevski nuk lëshon pe për paralelen shqipe

  • 9 years ago
Kryetari i komunës së Aerodromit Ivica Konevski mbetet në qëndrimin për mësimin e kombinuar në shkollën fillore 'Goce Delçev' në Lisiçe të Epërme ku nxënësit shqiptar të tre klasave janë detyruar të mësojnë në një paralele. Sipas tij kjo praktikë funksion tashmë 40 vite dhe se komuna nuk ka miratuar apo zbatuar asnjë vendim të ri andaj edhe nuk e ka parë të arsyeshme të deklarohet rreth kësaj çështjeje.
"Sa i përket ngjarjeve që ndodhën, unë nuk jam deklaruar në atë temë. Bëhet fjalë për një mësim të kombinuar që funksionon 40 vite në këtë mënyrë, pra edhe para se të ekzistojë komuna. Edhe kur ishim si pjesë e komunës së Kisella Vodës në atë shkollë çdoherë kishte mësim të kombinuar. Ajo nuk ishte asgjë e re... Ne si komunë nuk sollëm as vendim të ri ose zbatuam diçka të re, ajo ishte një praktikë e vendosur, e cila funksionon prej 40 vitesh në atë mënyrë", tha Ivica Konevski, kryetar i Komunës së Aerodromit.
Konevski madje thekson se kjo ngjarje është simptomatike pasi u aktualizua dy javë pas fillimit të mësimit edukativo-arsimor. Sipas tij, qëllimi i prindërve, nuk është që të gjendet zgjidhje, por të zhvendoset vëmendja në problemet që ekzistojnë në komunat tjera, pa treguar se për cilën komunë e kishte fjalën.
"Unë personalisht vlerësoj se më shumë ajo ishte që të tërhiqet vëmendja nga një komunë tjetër ku ndodhën gjëra të tilla. Komuna nuk solli vendim që të zbatohet ndonjë politik të re", u shpreh Ivica Konevski, kryetar i komunës së Aerodromit.
Si kundërpërgjigje ndaj mbylljes së paraleles shqipe në Lisiçe të Epërme të Komunës së Aerodromit, një hap të tillë ndërmorën komuna e Çairit dhe ajo e Sarajit. Ndërkohë Ministria e Arsimit në fillim të këtij muaji premtoi zgjidhjen e shpejtë të kësaj problematike me kombinimin e paraleleve nëpër shkolla. Ndërkohë pikërisht vendimet e këtilla të krerëve komunal, detyruan autoritetet e Ministrisë së Arsimit që në bashkëpunim me BNJVL-në, ta shqyrtojnë çështjen në fjalë. Madje ministri i Arsimit, Pançe Kralev, më 2 tetor, pat premtuar se në afat prej 4 javësh, maksimumi 6, pritet të marrin fund lojërat që bëjnë krerët e komunave me nxënësit, me kombinimin e paraleleve nëpër shkolla. Dhe, pikërisht ky premtim i tij, ishte shkas që prindërit e nxënësve shqiptar të Lisiçes së Epërme, t'i lejojnë fëmijët e tyre të kthehen nëpër bankat shkollore, të bindur se problemi i tyre do të gjejë zgjidhje. Por deklarata e sotme e kreut të Aerodromit, tregon qartë se fëmijët shqiptarë të kësaj shkolle, do të detyrohen që mësimet t'i ndjekin në paralele të kombinuara. Gjyltene Rexhallari

Recommended