Mexhiti: 'Gjithë shqiptaria në këmbë për të festuar 100 vjetorin e shtetit shqiptarë'

  • 9 years ago
Kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti sot në Tiranë nga kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Jozefina Topalli u nderua me një mirënjohje si dhe me riprodhimin simbolik të Akteve zyrtare të themelimit të shtetit shqiptar. Komuna e Çairit në Shkup ishte një prej katër komunave shqiptare, Prizrenit, Vlorës dhe Ulqinit të cilët u nderuan me të njëjtat mirënjohje me rastin e 100 vjetorit të shënimit të Pavarësisë së shtetit shqiptarë. Në këtë ceremoni që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, kryeparlamentarja Topalli mes tjerash theksoi se kjo mirënjohje i jepet Komunës së Çairit në nder të kryengritjeve të Shkupit, të atyre të viteve 1843-1844, kur mijëra kryengritës nën udhëheqjen e Dervish Carës çliruan Shkupin dhe shtruan kërkesën për autonomi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Çairit, Mexhiti në fjalën që mbajti para të pranishmëve theksoi se ka një nderë dhe kënaqësi të veçantë që gjendet në këtë eveniment në cilësinë e një përfaqësuesi të shqiptarëve të Maqedonisë, për të përfaqësuar njërin kënd të trekëndëshit shqiptar barabrinjës, ku edhe Shkupi është barazuar me Vlorën e Pavarësisë dhe Prizrenin e lavdisë sonë historike.
"Kam nderë dhe kënaqësi të veçantë, por njëherazi ndjej edhe përgjegjësi, që sot gjendem para jush në cilësinë e një përfaqësuesi të shqiptarëve të Maqedonisë, për të përfaqësuar njërin kënd të trekëndëshit shqiptar barabrinjës, ku edhe Shkupi është barazuar me Vlorën e Pavarësisë dhe Prizrenin e lavdisë sonë historike. Këto ditë kur gjithë shqiptaria është në këmbë dhe është këndellur për ta shënuar njëqindvjetorin e shtetit shqiptar, jam i nderuar të konstatoj se në këtë përvjetor shteti shqiptar, por edhe shteti i ri i Kosovës, pas një pauze të vetëkuptueshme për shkak të problemeve të së kaluarës, po i kthehet njëmend rëndësisë që kanë shqiptarët e Maqedonisë. Ne para ca ditësh morëm vlerësimet më të sinqerta e miqësore nga kryeministri Berisha për kthimin e Hasan Prishtinës në Shkup, ndërsa gjithnjë jemi në kontakt me krerët kosovarë, ashtu që me kënaqësi mund të konstatoj se jo vetëm që nuk ndjehemi të anashkaluar në këtë përvjetor të madh të pavarësisë, por ndjehemi madje të privilegjuar dhe të nderuar. Për këtë dëshmon edhe kjo ditë në Tiranë", deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit. Alsat-M

Recommended