Vizat, prangoset një 34 vjeçar

  • 9 years ago
Pas alarmimit nga BE-ja për rritjen numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia, Ministria Brendshme ka përforcuar masat parandaluese. Autoritetet policore vunë në pranga sot, 34 vjeçarin me inicialet S.M nga Shkupi, nën dyshimin për transport të organizuar azilkërkuesve drejt Gjermanisë. Të dyshuarit, i është dhënë menjëherë masa e arrestit,30 ditë paraburgim, nën dyshimin e veprës penale të "shpërdorimit të regjimit pa viza drejt vendeve të BE-së dhe marrëveshjes së Shengenit". Siç deklaroi zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski, 34 vjeçari është kapur në tentativë, me furgonin e tij më 14 tetor në pikën kufitare Bllacë. Në automjetin e tij ishin gjetur bagazhe dhe dokumentet e dy familjeve, që synonte t'i transportonte jashtë vendit. Në transportin ilegal të refugjatëve, bashkëpunonte edhe një banor nga Bllaca e Epërme.
"I dyshuari ka pranuar të transportojë persona drejt Gjermanisë, azilkërkues, në shumën prej 150 eurosh për person, duke organizuar paraprakisht kohën dhe itinerarin e udhëtimit. Për përmbushjen e kësaj vepre, ai ka pasur nevojë për ndihmën e një personi tjetër që ka njohur terrenin rreth kalimit kufitar, që do t'i mirëpriste personat ilegalisht, që më pas, do të transportoheshin në Kosovë", u shpreh Ivo Kotevski, Zëdhënës i MPB-së.
I dyshuari, siç njoftoi Ministria e Brendshme, u kishte kërkuar dy familjeve, njëra nga lagja Shuto Orizare dhe tjetra nga Inxhikova e Shkupit, nga 1 000 euro për transportimin e tyre drejt Gjermanisë. Hetuesit pritet të vendosë nëse këto dy familje do të jenë gjithashtu, si abuzues të regjimit të vizave, apo viktima. Nga MPB-ja njoftuan se do të shtrëngojnë kontrollet nëpër pikat kufitare. Nga prilli i vitit të kaluar janë kthyer prapa rreth 6500 persona nga kalime të ndryshme kufitare të vendit, të dyshuar se shkonin për të kërkuar azil. Sipas të dhënave, 30-40 për qind e tyre ishin nga Shkupi dhe rrethinat. Nga ana tjetër, ministrat e brendshëm të BE-së më 25 tetor do të shqyrtojnë kërkesën e Gjermanisë, Belgjikës, Luksemburgut, Suedisë dhe Holandës, për rikthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë, pas rritjes drastike muajve të fundit të numrit të azil-kërkuesve nga këto vende. Semra Jakupi

Recommended