Monstra', nesër dëgjohet dëshmitari X

  • 9 years ago
Nesër pritet të fillojë zyrtarisht hetimi për rastin 'Monstra', të vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovcës. Sipas paralajmërimeve të gjykatësit hetues, nesër pritet të dëshmojë dëshmitari i mbrojtur. Një hapi i tillë përbën edhe nisjen zyrtare të procesit hetimor ndaj të arrestuarve, të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë. Avokati Naser Raufi tha se rrëfimet e dëshmitarit të mbrojtur, janë e vetmja mundësi që përdoren në proces, për shkak se hetuesit deri tani nuk kanë siguruar prova të mjaftueshme, që të mundësonin ngritjen e akuzës ndaj personave të arrestuar në operacionin policor Monstra më 1 maj të këtij viti.
"Sot kam informatë që, prej nesër do të fillojë hetimi! Ju jeni të njoftuar gjithashtu se ende nuk ka filluar me dëshmitë, gjykatësi hetues. Deri në paraburgimin e fundit kanë mbetur edhe 7 ditë pune, sipas informatave nga gjykatësi hetues, brenda këtyre shtatë ditëve pune do të bëhet edhe hetimi dhe do të ketë aktakuzë, ashtu më informuan! Unë personalisht mendoj se nuk mundet për këtë dinamikë të vogël kohore të realizohen këto, sepse hetimi do të jetë më i komplikuar dhe do të zgjasë. Nëse nuk ka aktakuzë brenda këtyre shtatë ditë pune atëherë do të ndërpritet paraburgimi për të gjithë të akuzuarit", deklaroi Naser Raufi, avokat në rastin Monstra.
Për të arrestuarit, ky muaj është masa e 6-të e paraburgimit, kështu që sipas ligjit, nëse autoritetet hetuese nuk kanë prova për ngritjen e akuzës së mirëfilltë ndaj tyre, atëherë ata duhet të lirohen. Në aksionin policor 'Monstra' të datës 1 maj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa vetëm 5 prej tyre, Alil Demirit, Afrim Ismailoviqit, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi dhe Fejzi Haziri, mbahen nën dyshimin për veprën e terrorizmit. Për këtë vepër ngarkohet edhe Haki Haziri, i cili gjithashtu gjendet në paraburgim që nga 8 maji. Shkëlzen Aqifi

Recommended