VMRO DPMNE-ja, pas paralajmërimit të djeshëm nga komiteti ekzekutiv i kësaj partie, ka tërhequr pr/ligjin për branitellat, për ta propozuar atë me procedurë të përshpejtuar. Nga partia e Gruesvkit paralajmëruan se do të kërkojnë edhe kufizim të diskutimeve. Nga VMRO DPMNE-ja mbeten në qëndrimin se pr/ligji nuk është antishqiptar dhe se do të miratohet, ndërsa nga BDI-ja shprehen të prerë dhe mbeten në qëndrimin e tyre se ligji nuk duhet të miratohet, dhe se do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë ligjore për ta bllokuar atë. Nga partia e Ahmetit kanë paralajmëruar me mijëra amendamente, si një nga format e bllokimit të miratimit të tij në kuvend.
"Grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së e tërheq sot pr/ligjin për Branitellat dhe në të njëjtën kohë, e parashtron atë me procedurë të përshpejtuar. Si propozues i autorizuar, në momentin kur do të thirret seanca e Komisionit për punë dhe politikë sociale, do të kërkoj kufizim të diskutimeve, po ashtu edhe për seancat plenare, kjo nënkupton 10 minuta fjalim, 3 minuta replikë dhe 1 minutë kundër-replikë. Po ashtu, do të kërkojmë që secili prej diskutuesve të mund të flasë vetëm një herë", deklaroi Vele Georgievski, VMRO-DPMNE.
"Neve, që ne fillim të iniciativës, kemi thënë që ligji nuk korrespondon me trajtimin e barabartë të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe për atë arsye kemi thënë që në fillim se ne do të shfrytëzojmë çdo mënyrë, çdo rrugë institucionale që të parandalohet miratimi i këtij propozim ligji. Fakti që, që nga 5 shtatori deri më sot debati ka zgjatur rreth arsyetimit të mos sjelljes së propozim ligjit në këtë formë siç është propozuar, mendoj se rezulton me atë që sot paralajmëroj propozuesi i ligjit se do të tërhiqet", u shpreh Talat Xhaferri, BDI.
Qëndrimi i LSDM-së është i qartë dhe i pandryshuar se e mbështet një ligj të tillë. Megjithatë, nga kjo parti thonë se kjo është hera e fundit që partitë në pushtet t'i japin fund nënçmimit të qytetarit maqedonas për interesa të tyre politike.
"Ju, si media, gjithë kohën e keni ndjekur punën e komisionit për punë dhe politikë sociale dhe e dini se LSDM pati propozuar kufizim të diskutimeve, megjithatë për shkak të votimit negativ apo mos-votimit nga ana e anëtarëve të VMRO DPMNE-së ky propozim nuk kaloi. Tani VMRO DPMNE-ja duhet fillimisht ta sqarojë opinionin pse nuk e patën miratuar më herët atë propozim, çfarë ndodhi që tani, ky propozim qenka i nevojshëm", theksoi Cvetanka Ivanova, LSDM.
Sipas rregullores për punën e Kuvendit, propozimi me procedurë të përshpejtuar nënkupton që ligji shkon direkt në seancë plenare, duke anashkaluar kështu debatin gjatë trupave kuvendor në leximin e tij të parë. Megjithatë, pasi Kuvendi të miratojë nevojën për miratimin e ligjit, atëherë ai rikthehet në trupat kuvendorë, përkatësisht në komisionin amë, ku do të debatohet rreth amendamenteve të parashtruara nga ana e deputetëve. Bedri Rexhallari
Comments