Zgjidhet problemi me hapësirat e fakultetit të administratës së biznesit të USHT-së. Ish kazerma e qytetit të Kumanovës u përurua sot, si ambiente mësimore për studentët. Rektori i USHT-së Vullnet Ahmeti tha se investimet e përgjithshme për ndërtimin dhe rekonstruimin e këtij objekti arritën shifrën e 1 milion e 200 mijë eurove.
"Ky objekt i ngritur me shumë mund' dhe sakrifica në Kumanovë, në hapësirat e tij përfshin një sipërfaqe prej 9 mijë e 365 metrash katrorë dhe me një hapësirë të objektit prej 2 mijë e 632 metra katrorë i cili disponon me një amfiteatër me120 ulëse, me 6 auditore me nga 70 ulëse, 15 mësonjëtore me nga 30 ulëse, 19 kabinete për nevojat e stafit akademik, zyrat për stafin drejtues dhe dekanatin e fakultetit", deklaroi Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së.
"Është një kënaqësi dhe obligim edhe më tepër kur bëhet fjalë për këto evinemente të sferës shkencore. Pak e kemi obligim edhe nga aspekti moral që ta arsyetojmë tërë këtë investim. Ne do ta realizojmë përmes angazhimit permanent dhe arritjes të sukseseve permanente nga ana e studentëve të cilët do të aftësohen në nivele me të larta të profesionalizmit të tyre", theksoi Naser Raimi, dekan i USHT.
Lideri i BDI-së Ali Ahmeti tha se kazerma po shndërrohet në vatër të dijës jo vetëm për shqiptarët e Kumanovës dhe Likovës, por për gjithë qytetarët edhe nga Lugina e Preshevës dhe nga Kosova.
"Frymën e Hasan Prishtinës dhe të rilindësve të tjerë shqiptar ne po e vijojmë sot në Kumanovë. Dje dhe gjithmonë kur ka qenë nevoja, Kumanova dhe Likova dhanë çlirimtarë. Sot dhe në të ardhmen, Kumanova dhe Likova do të japë dijetarë. Ne nuk po ndërtojmë shkolla në gjetkë, por pikërisht në kazermat që në të kaluarën e hidhur kanë simbolizuar laboratorë për plane ogurzeza ndaj shqiptarëve. Politika jonë është jo militarizimi por arsimimi", deklaroi Ali Ahmeti, lider i BDI-së.
"Ne jemi të bindur se ky përkushtim i USHT-së krijon mundësi që rinia jonë për nga kualiteti dhe përgatitja shkencore e profesionale të jetë e barabartë me të rinjtë që studiojnë në Universitetet e njohura nga vendi dhe rajoni. Ky vizion na inkurajon që në të ardhmen e afërt ne shqiptarët do t'i realizojmë synimet tona për të nxjerrë kuadro të përgatitur për ti përballur sfidat e kohës", tha Safet Neziri, zv/ministër i arsimit.
Nëse në USHT, viti akademik filloi me antonimin e himnit kombëtar shqiptar, një gjë e tillë në Kumanovë sot nuk ndodhi. Nuk dihet nëse për këtë çështje kanë ndikuar reagimet e ministrit të arsimit Kralev, apo fjalimi i kryeministrit Gruevski në Kuvend, kur tha se nuk do të lejojë të intonohet himni i shtetit të huaj në Maqedoni. Shkëlzen Aqifi
Comments