Turqi-Siri, vazhdojnë tensionet

  • 9 years ago
Vazhdojnë mosmarrëveshjet në linjën Damask - Ankara - Moskë. Pas deklaratës së prerë të mbrëmshme nga kryeministri turk Erdoan se në aeroplanin civil u gjet një sasi të madhe pajisjesh ushtarake dhe armë të prodhimit rus, ministri i Jashtëm sirian sot mohoi konstatimet duke e akuzuar Erdoanin si gënjeshtar. Ai i bëri thirrje kryeministrit turk që t'i tregojë publikisht pamjet e armëve të sekuestruara. Ndaj akuzave turke reagoi edhe Moska Zyrtare, e cila theksoi se aeroplani civil nuk ka bartur ngarkesa të paligjshme. Megjithë ftohjen e marrëdhënieve mes autoriteteve në Moskë dhe Ankarasë, analistët turq nuk presin një përshkallëzim më serioz të problemit.
"Nuk besoj se Turqia mund të dëmtojë marrëdhëniet me Rusinë. Besoj se Turqia është e zgjuar mjaftueshëm për të mos hyrë në luftë. Mirëpo, kur gjërat do të përshkallëzohen, rreziku dhe gjerat që të dalin jashtë kontrollit, janë më të mëdha", deklaroi Soli Ozel, profesor universitar.
Autoritetet ruse dënuan dje aterrimin e detyruar të aeroplanit sirian, duke theksuar se me një veprim të tillë, u rrezikua jeta e shtetasve rusë që ishin në bodrin e mjetit fluturues. Turqia dhe Siria ashpërsuan marrëdhëniet javën e kaluar, kur nga disa granata të lëshuara nga Siria, vranë 5 civilë në fshatin kufitar turk Akçakale. Incidenti u dënua ashpër nga fuqitë perëndimore, kurse Turqia iu kundërpërgjigj sulmit me të shtëna për disa orë drejt Sirisë. Gjendja në kufirin turko-sirian vazhdon të jetë e tensionuar. Petar Bllazhevski

Recommended