Ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovksa iu ndau mirënjohje katër pjesëtarëve të policisë, të cilët shpëtuan nga vdekja dy persona. Mirënjohja ishte për humanizmin dhe guximin e treguar në shpëtimin e jetëve të dy të rinjve. Bëhet fjalë për dy raste tragjike, në rastin e parë njëri prej policëve ka shpëtuar një vajzë që ishte hedhur në lumin Vardar për të kryer vetëvrasje, ndërsa rasti tjetër kishte të bënte me lëndimin e një të riu në fshatin Tanushë, dyshuar se ka shkelur mbi një minë. Ekspertiza ende është duke punuar për zbardhjen e këtij rasti, por polici në detyrë, u tregua e aftë dhe në kohë për t'i shpëtuar jetën të riut.
"Me këtë dëshmohet se punonjësit e policisë janë human, të përkushtuar ndaj punës edhe kur janë dhe nuk janë në punë, para së gjithash për shkak të lojalitetit ndaj profesionit dhe lojalitetit ndaj qytetarëve të cilët praktikisht janë bazë e veprimit tonë. Ne gjithmonë jemi këtu për t'ju dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të tyre por edhe t'i ndihmojmë kur ata kanë ndonjë problem", deklaroi Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të brendshme.
Në mesin e policëve që shpëtuan dy jetë të rinjsh ishte edhe Driton Daci, i cili tha se ndihet krenar për ndihmën që ka ofruar, duke shtuar se kjo është edhe detyrë e profesionit që kryen.
"Morëm falënderim për rastin, që shpëtuam jetën e një djali të ri. Atë ditë ne ishim në orar të punës kur e pamë njeriun dhe dhamë ndihmën e parë për të arritur deri te Spitali qendror, ashtu që u munduam të japim gjithçka prej nesh. Mendoj se ja arritëm qëllimit duke ju falënderuar edhe kolegëve të mi që ishin afër meje. Unë jam krenar për këtë, kemi informata që djali i ri vazhdon jetën dhe faktikisht është në përmirësim të gjendjes, nuk është në rrezik. Krejt ngjarja ka ndodhë në fshatin Tanushë, unë jam shef ndërrimi atje dhe kemi marrë masat e përgjithshme që u desh të merrnim dhe jam krenar për atë që njeriu vazhdon të jetojë", u shpreh Driton Daci, polic.
Jankullovska theksoi gjithashtu se polici që kishte shpëtuar vajzën nga vetëvrasja nuk kishte qenë në orar pune. Ajo madje përmendi se humanizmi i shprehur nga polici dëshmon edhe një herë se policia është në shërbim për qytetarët. Melihate Rustemi
Comments