Rreth 1300 vende në 54 komuna, u pastruan sot në kuadër të aksionit "Maqedonia pa mbeturina". Aksioni organizohej nga Asociacionit "Hajde Maqedoni", i mbështetur nga Ministri e Ambientit Jetësor, ndërmarrjet komunale dhe institucione të tjera. Ministri i Ambientit mori pjesë gjithashtu në këtë aksion, duke pastruar tregun e paligjshëm në Kalanë e Shkupit.
"Qëllimi i këtij aksioni është ngritja e vetëdijes për ambientin, ngritja e vetëdijes jo vetëm të qytetarëve por edhe të institucioneve sepse në RM kemi konstatuar që kjo vetëdije mungon. Sepse nëse ne konsiderojmë vetëm oborrin tonë si pronë tonën dhe atë do duhet ta pastrojmë, kurse pjesët publike siç janë rrugët, parqet dhe lumenjtë e kështu me radhë, nuk janë tonat dhe ato mund ti ndotim kjo do të duhet të ndryshohet. Ky është qëllimi kryesor i këtij aksioni dhe shpresoj që ky aksion të përkrahet edhe në të ardhmen dhe ne do të propozojmë deri tek qeveria që një ditë në vit të kemi aksione të tilla, me qëllim që të ngremë vetëdijen dhe të pastrojmë mbeturinat nëpër hapësirat publike", deklaroi Abdilaqim Ademi, ministër i ambientit jetësor.
"Ky aksion mbahet nën parullën aktivizohu-mos u shndërro në mbeturinë. Sot mesazhi është për më pak mbeturina, të blejmë më pak prodhime, të blejmë vërtetë atë që na duhet që të mund t'i zvogëlojmë depot me mbeturina", tha Antonio Jovanovski, kryetar i asociacionit "Hajde Maqedoni".
Aksioni për pastrimin e mbeturinave zhvillohet në 85 vende të botës, një ditë në vit. Autoritetet presin që përmes këtij aksioni të grumbullojnë 70 mijë m/kub mbeturina. Ndonëse ishte paralajmëruar edhe prania e diplomatëve, sot nuk u pa asnjë prej tyre. Përpos pastrimit në lokacione të caktuara sot në shkollat e vendit u mbajtën ligjërata dhe lojëra, me mesazhin për përmirësimin e edukimit ekologjik për më të rinjtë. Bojana Simonoviq
Comments