Shumica e çifteve të interesuara për të birësuar fëmijë akoma janë në pritje të realizimit të këtij synimi si rezultat i kërkesave specifike nga vet ata si gjinia e fëmijës, përkatësia etnike dhe fetare e deri tek karakteristikat fizike si ngjyra e flokëve dhe syve. Për këtë qëllim ministri i punës dhe politikës sociale Spiro Ristovski publikisht u bëri thirrje mbi 300 çifteve të interesuara për të birësuar fëmijë të liberalizojnë kërkesat e tyre.
"I bëj thirrje publike çifteve që dëshirojnë të birësojnë fëmijë që t'i liberalizojnë kërkesat e tyre pasi të gjithë fëmijët janë të njëjtë pavarësisht gjinisë, ngjyrës, përkatësisë etnike dhe fetare. Fëmijët kur lindin ne i krijojmë edhe në aspektin etnik, religjioz , bindjes dhe mënyrën e funksionimit. Ata fëmijë deri sa janë në shtëpinë në Manastir, asnjëri prej tyre nuk kupton nëse është maqedonas, shqiptar ose rom, asnjëri prej tyre nuk kupton nëse është krishterë ose mysliman. Të mos përkufizohen çiftet e interesuara", deklaroi Spiro Ristovski, ministër i punës dhe politikës sociale.
Sipas Ristovskit nëse çiftet e interesuara deklarohen se nuk janë të interesuar për të birësuar këta fëmijë atëherë do të filloj procesi i birësimit jashtë vendit pasi këtë e mundëson legjislativa jonë.
"Ligji është shumë i qartë, Maqedonia është vendi i parë ku i ofrojmë dhe i japim fëmijët çifteve të interesuara të Maqedonisë. Në procesin e bisedimeve me të interesuarit potencial ne do të tentojmë që pjesës më të madhe të këtyre fëmijëve tu gjejmë shtëpi në Maqedoni. Por ligji është i qartë, nëse në Maqedoni nuk ka të interesuar potencial për fëmijët vijon faza tjetër, çiftet deklarohen se nuk janë të interesuar atëherë i qasemi realizimit të birësimit jashtë vendit", u shpreh Spiro Ristovski, ministër i punës dhe politikës sociale.
Ministri Ristovski u shpreh i kënaqur nga realizmi i këtij procesi në veçanti pas miratimit të ndryshimit të ligjit për familjet me të cilin janë shkurtuar procedurat e birësimit. Sipas tij vetëm në 5 muajt e fundit për adaptim janë dhënë mbi 90 fëmijë. Ndryshe sipas të dhënave të fundit për birësim presin 80 fëmijë ndërsa në regjistër presin 335 çifte të interesuara. Gjyltene Rexhallari