Banorët e Tetovës dhe rrethinave të saj nuk do t'u duhet më të udhëtojnë drejt Shkupit apo edhe jashtë vendit, për perden në sy. Edhe pse një operacion jo shumë i ndërlikuar, nga i cili pacienti mund të largohet vetëm 3 orë pas ndërhyrjes kirurgjikale, deri më sot ata e shikonin zgjidhjen, shumë larg, dhe tepër shtrenjtë; mbi 1000 Euro. Aparati i ri mjekësor për operimin e perdes në sy, sot është promovuar në Spitalin e Tetovës.
"Sot jam krenar që para bashkëqytetarëve të mi, të promovoj edhe një lehtësim në sferën e mbrojtjes shëndetësore për të gjithë ata. Fjala është për aparatin e ri super-modern për operimet e syve, gjegjësisht operimit të kataraktës së syrit, gjë kjo për të cilën banorët e Tetovës dhe rrethinës më parë është dashur të shkojnë jashtë shtetit dhe të paguajnë mijëra euro. Pra tash e tutje këtë lloj operacioni me shumë sukses e kryen Spitali Klinik i Tetovës", tha Florin Besimi, drejtor i Spitalit të Tetovës.
Ky aparat vjen në kuadër të projektit qeveritar të pajisjes së spitaleve të vendit. Por prapëseprapë, në Maqedoninë perëndimore, ky aparat do të jetë i vetmi për heqjen e perdes në sy.
"Ky aparat vjen në suaza të investimeve kapitale që kohëve të fundit janë bërë në Spitalin Klinik të Tetovës, kurse vlen të përmendet se së shpejti do lëshohen në përdorim edhe një numër i konsiderueshëm i aparaturës që kanë të bëjnë me sëmundjet e zemrës gjë që në mënyrë plotësuese do iu lehtësojë kurimin banorëve të Tetovës dhe rrethinës. Përndryshe, aparati për operacione të syve, është i sistemit FAKO, domethënë sistem i përsosur për operacione të syve i cili në Maqedoninë perëndimore ekziston vetëm në Spitalin Klinikë të Tetovës ndërsa kostoja e tij arin vlerën prej mbi 400 000 euro", deklaroi Florin Besimi, drejtor i Spitalit të Tetovës.
Një javë më parë në spitalin e Tetovës u kryen me sukses 5 operacione përmes këtij aparati, ndërsa këtë javë, në regjistër ishin shënuar për t'u realizuar, edhe të paktën 20 të tjerë. Bashkim Sulejmani
Comments