Gjendja e fëmijës shtatë vjeçar dhe pacientit 66-vjeçar të infektuar me virusin 'ethet e nilit perëndimor është e qëndrueshme dhe e përmirësuar', ndërsa nuk ka të infektuar të ri me virusin vdekjeprurës, njoftojnë nga Klinika për sëmundje infektive. Nga klinika nuk deshën të tregojnë nëse pacientët te të cilët ishte diagnostikuar meningjiti si pasojë e etheve të nilit perëndimor kanë udhëtuar jashtë vendit. Ata thonë se ka pasur edhe një rast tjetër i dyshimtë i cili analizohet nëse vuan nga ethet e nilit perëndimor, ndërsa raste të reja të konfirmuara ende nuk ka.
"Bëhet fjalë për pacientë të cilët i përgjigjen mirë trajtimit. Raste të reja dhe pacientë të rinj nuk kemi me këtë sëmundje të ashtuquajtur ethet e nilit perëndimor, që mund të shkojë në dy ose më shumë forma, në formë neuro-invazive dhe neuro-jo invazive. Nuk kemi pacientë të paraqitur në ambulanca me simptomat e etheve të nilit perëndimor në 24 orët e fundit", tha Valeria Kirova Urosheviq, Klinika për Sëmundje Infektive.
Virusi i etheve të nilit perëndimor bartet te njeriu me pickim të mushkonjave dhe më shpesh nga mushkonja-tigër dhe mund të shkaktojë sëmundje serioze. Nga më të rrezikshmet janë, meningjiti, encefaliti dhe paraliza. Dje një grua 55 vjeçare vdiq si pasojë e komplikimeve nga virusi, gruaja më herët kishte vuajtur nga diabeti dhe hipertensioni. Mjekët shpjegojnë se ky virus shpesh zhvillon komplikime të rënda te njerëzit që kanë imunitet të dobët. Simptomat e sëmundjes janë të njëjta si tek ftohja. Bojana Simonoviq
Comments