Hapja e 14 çerdheve të reja në 13 komunat rurale të Maqedonisë prej të cilave vetëm një do t'i dedikohet fëmijëve shqiptarë nuk është diskriminim etnik . Kështu u përgjigj ministri i Punës dhe Politikës Sociale Spiro Ristovski duke bërë të ditur ne në fazën e parë të këtij projekti qeveritar nga komunat shqiptare është përfshirë komuna Tearcë ndërkohë që në fazat tjera pritet përfshirja edhe e komunave tjera shqiptare.
"Plani jonë është se në fazën e parë do të shkojmë në këto 14 komuna rurale mes të cilave është edhe në Komunë të Tearcës, ndërsa plani jonë është që ky projekt të vazhdojë dhe këto çerdhe rurale t'i hapim në këto komuna rurale. Aspak nuk bëhet fjalë dhe nuk ka logjikë të thuhet se bëjmë ndarje etnike. Përkundrazi për ne është në interes që në të gjitha komunat të kemi kushte minimale ku do të mund të strehohen fëmijët", tha Spiro Ristovski, ministër i punës dhe politikës sociale
Ndërkohë lidhur me ndërtimin e objekteve të reja për çerdhe në Komunat Saraj dhe Likovë, të cilat me vite të tëra presin punimet ndërtimore, ministri i punës sociale Ristovski tha se punimet janë ndërprerë për shkak të disa lëshimeve teknike por tani po punohet, ndërsa gjatë muajve në vijim pritet të bëhet finalizimi i tyre bashkë me çerdhet në Aerodrom dhe Gjorçe Petrov. Hapja e çerdheve të reja do të bëhet në objektet e ekzistuese të cilat tërësisht do të rikonstruohen dhe pajisen në bazë të të gjitha standardeve. Për këtë qëllim, qeveria ka ndarë buxhet prej 12.630 milionë denarë për adaptimin e tyre. Melihate Rustemi
Comments