Neziri: Faji për arsimtarët bie mbi drejtorët

  • 9 years ago
Ministria e arsimit është në dijeni me problemin e krijuar mes dy subjekteve shkollore në Gostivar dhe Negotinë që ka lënë në rrugë 30 mësimdhënës shqiptar. Sipas numrit dy të këtij dikasteri Safet Neziri, problemi është krijuar pa nevojë për shkak se komisioni për verifikimin e subjektit të ri shkollor në Negotinë ka sugjeruar që të vazhdohet me kuadrin e njëjtë arsimor edhe këtë vit, ashtu siç ka qenë gjatë vitit shkollor 2011-2012. Neziri thekson se është kundërligjore që punëtorëve me vendim të përhershëm tu përgjysmohet fondi i orëve andaj edhe i bënë thirrje drejtorëve që të ulen dhe të mbyllin problemin.
"Unë do të kisha apeluar te të dy drejtorët të të dyja subjekteve shkollore, të kenë parasysh edhe interesin e punëtorëve, sepse kemi punëtorë që kanë marrëdhënie të rregullta pune, respektivisht vendim pune, të mos ju përgjysmohet fondi i orëve, nuk është njerëzore por është edhe kundërligjore, faktikisht të mos ketë fondin e plotë të orëve a të pranohen arsimtarë të rinj. Gjithashtu unë do të kisha apeluar të ulen përveçse drejtorët e shkollave, ta thërrasin edhe sindikatën e cila i mbron interesat e punëtorëve për ta zgjidhë këtë problem", tha Safet Neziri, zv/ ministër i arsimit.
Nëse drejtorët e shkollave nuk arrijnë që të merren vesh atëherë Ministria e arsimit do të detyrohet që të ndërhyj në zgjidhjen e problemit. Si masë të fundit në rast të mosmarrëveshjes nuk përjashtohet edhe ndëshkimi për drejtorët.
"Ne do të jemi në kontakt të drejtpërsëdrejti me këto dy subjekte shkollore dhe do të tentojmë që me dialog, me marrëveshje mes veti, për ta zgjidh problemin definitivishtë. Nëse jo normalisht brenda javës ne do të jemi të detyruar të intervenojmë që të vjen deri të zgjidhja e këtij problemi dhe të mos krijohen tollovi të kësaj natyre, veçanërisht në start të vitit shkollor", u shpreh Safet Neziri, zv/ ministër i arsimit.
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes drejtorit të gjimnazit të Gostivarit dhe të Negotinës në rrugë kanë mbetur 30 profesor. Gjithçka ka filluar kur në fillim të kësaj jave, Gjimnazi i fshatit Negotinë është shkëputur edhe zyrtarisht nga Gjimnazi në Gostivar, pjesë e të cilit ka qenë me dekada të tëra. Pikërisht kjo ndarje institucionale, tani ka bërë që profesorët në fjalë, mos të dinë se ku të mbajnë mësimin, ngase Gjimnazi i Gostivarit i dërgon në Gjimnazin e Negotinës për të dhënë mësim ndërsa atje nuk i pranojnë. Gjyltene Rexhallari

Recommended