Fitër Bajrami në Kosovë

  • 9 years ago
Në Kosovë, urimet për Fitër Bajramin janë shoqëruar në gojët e besimtarëve edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së kombit shqiptar, si dhe përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës këtë vit. Në Prishtinë, mijëra besimtarë falën namazin në Xhaminë e Madhe 'Sulltan Mehmet Fatih'. Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, theksoi se besimtarët dhe gjithë shqiptarët kanë më shumë arsye të festojnë, pasi sivjet shënohen 100 vjet pavarësi, dhe viti kur merr fund pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës. Tërnava, vuri në dukje vlerat dhe virtytet kombëtare e fetare, duke kërkuar ruajtjen e tyre.
"Duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjtë, dhe ky vend i shenjtë, i ftoj besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues", tha Naim Tërnava, Kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gjatë orëve të paradites, pranë Bashkësisë islame të Kosovës, liderët e shtetit dhe të politikës kosovare uruan Fitër Bajramin duke shpërndarë në popull mesazhin se 'uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës'. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në mesazhin e saj uronte që 'në këtë ditë feste dhe gëzimi, qytetarët të jenë më të lumtur e të bashkuar".
"Duhet t'i kujtojmë ata që kanë sakrifikuar dhe, gjithsesi, duhet t'i kujtojmë edhe veprimtarët dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që flijuan jetën e tyre për pavarësinë e shtetit tone", deklaroi Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
Kurse në mesazhin e kryeministrit Thaçi theksohej se "festa është dita e ndarjes së gëzimit me njëri tjetrin. Të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për Kosovën." Mesazhe për qytetarët e Kosovës dërguan edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe partitë politike në vend. Admir Qose

Recommended