Besimtarët myslimanë festojnë Bajramin

  • 9 years ago
Besimtarët myslimanë dhe bota islame sot festojnë Ramazan Bajramin. Pas një muaj agjërimi nga lindja e deri në perëndim të diellit, këtë mëngjes në të gjitha xhamitë u fal namazi i Bajramit. Pas namazit të bajramit dhe lutjes të gjithë besimtarët uronin festën mes vete dhe më pas vazhduan me një sofër festive, me bakllava dhe vizita te njëri tjetri duke uruar për më shumë bereqet, shëndet dhe prosperitet. Për një vit të begatshëm dhe me shumë prosperitet uroi sot edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.
"Kënaqësia më e madhe është kur ne së bashku me besimtarët tonë sot edhe njëherë Bashkësitë fetare në RM, demonstruan praktikisht bashkëjetesën, dialogun, mirëkuptimin dhe tolerancën. Kemi dashur të demonstrojmë që jemi për bashkëjetesë dhe jemi për tolerancë dhe jemi që të ndërtojmë këtë shoqëri dhe këtë shtet shoqëroro politik që quhet Republika e Maqedonisë, ta ecim përpara dhe të gjithë ti qëndrojmë së bashku por të japim kontributin tonë maksimum në demokratizimin e këtij shteti", deklaroi Reis ul Ulema Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.
Festa e Bajramit vjen pas muajit të Ramazanit, një prej pesë shtyllave të Islamit, ku besimtarët agjëruan, duke ju përkushtuar më shumë adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit. Fiter Bajrami është festa e devotshmërisë, solidaritetit, vëllazërisë dhe barazisë sociale. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët nisën vizitat në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Në këtë festë nuk mungojnë gjithashtu argëtimet, programet artistike dhe aktivitetet e ndryshme kulturore. Dita e Bajramit shëmbëllen në ditë paqeje dhe gëzimi. Vetë fjala bajram do të thotë gëzim, begati, kënaqësi, hare. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet në fenë islame ndarja e zekatit, për të varfërit dhe familjet në nevojë. Bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores. Verica Pavlloska

Recommended