VMRO me ligj pro 'Branitelave' dhe kundër 'UÇK-së'

  • 9 years ago
Banesë, punë, pension familjar, kompensime në të holla prej 50 pagave mesatare në Maqedoni, shërbime mjekësore dhe shkollim falas, vendosje në shtëpitë e pleqve dhe shënimin e ditës së rënies së tyre dhe gradimit janë vetëm disa nga benefitet që parasheh projekt ligji për 'Branitellat', i propozuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe parashtruar deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Po qe se projekt ligji merr dritë jeshile nga kuvendi atëherë qeveria dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale do të obligohen që të sigurojnë punësime pa konkurs publik në organet shtetërore, ndërmarrjet dhe institucionet publike për një anëtarë të familjes të ndonjë anëtari të forcave të sigurisë maqedonase. Ligji ka për qëllim, siç thuhet, rregullimin e të drejtave të posaçme sociale të përfaqësuesve të cilët kanë marrë pjesë në mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Maqedonisë, si dhe të atyre që kanë përjetuar vuajtje dhe dhimbje gjatë konfliktit të vitit 2001.
Ndërkohë shoqata e 'Branitelave', nga Kumanova thotë se pret që me Projekt ligjin në fjalë do të tejkalohen të gjitha padrejtësitë që vlerëson se u janë bërë forcave të sigurisë maqedonase që nga viti 2001.
"Shprehim dëshirë që ky ligj sa më pare të miratohet nga Kuvendi I republikë së Maqedonisë , sepse çdo ditë jetojmë për ato të drejta dhe për atë që luftëtarët tanë të 2001të respektohen denjësisht dhe ta marrin vendin e tyre në historinë më të re maqedonase", deklaroi Predrag Petrushevski, kryetarë I shoqatës.
Dhe teksa ligji parasheh një mori benefitesh për 'branitellat', ai në mënyrë të prerë përjashton mundësinë e inkorporimit edhe të ish luftëtarëve të UÇK-së. Në nenin 9 të këtij ligji qartë thuhet:
"Personat që kanë përfituar apo mund të përfitojnë të drejta përmes këtij ligji, nuk mund t'i realizojnë ato të drejta po qe se dëmtimet e organizmit i kanë marrë si pjesëtarë, ndihmës apo bashkëpunëtorë të grupeve të armatosura ekstremiste dhe grupacioneve paraushtarake. Gjegjësisht personat ndaj të cilëve është ngritur padi penale apo kanë marrë dënime të plotfuqishme për shkak të armëmbajtjes pa leje apo mjeteve shpërthyese, apo për vepra penale kundër shtetit, apo njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare në pajtim me Kodin penal,", thuhet në projekt ligj.
Sipas kësaj shihet qartë se Ligji në fjalë do të paraqitet si mollë sherri mes partnerëve të koalicionit qeveritarë. Ndërkohë vetëm një ditë më parë nga partia e Ahmetit jo-zyrtarisht e përshëndetën këtë hap të VMRO DPMNE-së dhe këtë iniciativë thanë se e shohin si mundësi të mirë për zgjidhjen e statusit të dyja palëve në konfliktin e 2001.
Dhe, teksa VMRO DPMNE propozon këtë ligj, presidenti i Shtetit Gjorge Ivanov në cilësinë e Komandantit suprem, në një ceremoni solemne i ka dekoruar të gjithë të rënët e forcave të armatosura me 'Medaljen për guxim'. Bedri Rexhallari

Recommended