Psalltirov: 'Nuk jam spiunë, jam patriot'

  • 9 years ago
Shtohen reagimet dhe ankimimet pranë gjykatës administrative nga ana e personave të etiketuar si bashkëpunëtorë, të shpallur nga ana e Komisionit për Lustrim. Kiril Psalltirov, këshilltar i VMRO-DPMNE pohon se ka qenë viktimë e sistemit të kaluar por jo bashkëpunëtor. Sipas tij lustrimi duhet të pastrojë ndyrësirat e atij sistemi ndërsa Komisioni nuk duhet t'u besoj verbërisht dokumenteve të krijuara në atë kohë.
"Është turp që si viktimë i një sistemi të paskrupullt në të cilin kam pasur guxim të flas për qëndrimet e mia patriotike, për çështjen maqedonase, përjetova sërish faktin të jem viktimë, madje sot, kur jetoj ëndrrën e atëhershme për Maqedoni të pavarur dhe demokratike. Rasti im vërteton se sindromi i vet-asgjësimit të maqedonasve është akoma i pranishëm dhe se patriotët e vërtetë çdoherë kanë qenë viktima, dhe njohjen për patriotizmin e kanë marrë pas vdekjes së tyre", deklaroi Kirill Psalltirov.
Psalltirov pohon se Komisioni nuk ka dëshmi të vërtetojë nëse ai ka dhënë pëlqimin për të qenë bashkëpunëtor...vendimi i komisionit bazohet vetëm në raportet e shërbimeve të atëhershme. Psalltirov pohon se ka qenë nën hetime që nga viti 1959 dhe i është bërë presion i vazhdueshëm që të jetë bashkëpunëtor për të spiunuar personin me pseudonimin 'Mlin', anëtar i organizatës për Bashkim të Maqedonisë. Për kërkesën e shërbimeve, Psalltirov ka njoftuar personin në fjalë i cili i ka propozuar që ai të infiltrohet në shërbime, për qëllimet e organizatës. Mos pranimi i tij për bashkëpunëtor është reflektua edhe në karrierën e tij si aktor, -thekson Psalltirov. Por edhe përkundër këtij vendimi, ai do të vazhdoj të mbetet besnik ndaj partisë së tij, VMRO-DPMNE-së.
"Unë jam anëtar besnik i kësaj partie dhe do të mbetem deri në fund i tillë... do të luftoj për idetë për të cilat gjithë jetën kam luftuar dhe asgjë nuk do të më hamendësojë të vazhdoj në idetë e mia për prosperitet të Maqedonisë", tha Kirill Psalltirov.
Ndërkaq, sot në faqen e Komisionit është shpallur edhe emri i bashkëpunëtorit të 26, Branko Cvetkov, këshilltar në komunën e Kumanovës. Sipas dokumenteve të publikuara nga ana komisionit për lustrim Cvetkov ka pasur dosje që nga viti 1964, si student ndërsa shërbimet i ka informuar për emigrimin në Gjermaninë Perëndimore. Gjyltene Rexhallari

Recommended