Mexhiti: 'Shkollat në Çair nuk do të kenë problem me ngrohjen'

  • 9 years ago
Në shkollën fillore 'Liria' filloi projekti për rinovimin e plotë të saj, e cila do të shndërrohet në një objekt që do të kursejë energji. Megjithëse kopshtet dhe shkollat në këtë komunë i kanë borxh kompanisë së ngrohjes gjysmë milioni euro, Kryetari Mexhiti beson se kjo nuk do të thotë që objektet do të mbeten pa ngrohje këtë dimër.
Kopshtet dhe shkollat në komunën e Çairit nuk do të kenë problem ngrohjeje në dimrin që vjen, edhe pse këto institucione i kanë borxh gjysmë milioni euro Kompanisë së Ngrohjes Qendrore. Sipas kryetarit të komunës Izet Mexhiti po merren të gjitha masat, rreth ngrohjes në dimër të objekteve publike, ndërkohë që për zgjidhjen e problemit të borxhit, ka kërkuar ndihmë nga qeveria.
"Është evidente që këtë vit problemi është pak më i theksuar, një është për shkak 'blok dotacioneve' të cilat bazohen në shpenzimet historike dhe jo në shpenzimet operative, për shkak se kemi rritje të naftës, të energjive tjera, mirëpo kjo nuk është problem i vetëm. Problemin më të madh e ngarkon NP Toplifikacija e cila tani shkollave ju dërgon llogari si me qenë në industri apo fabrika dhe jo si amvisëri, siç ka qenë deri më tani", deklaroi Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit.
Sipas Mexhitit, dy shkolla do të ngrohen sezonin e ardhshëm me impiant të tyren, ndërsa me paratë e destinu8ara për projekte, komuna do t'i orientojë për të mbuluar një pjesë të borxhit ndaj Kompanisë së Ngrohjes, që të mos shkohet në ndërprerje mësimi në shkolla. Për të reduktuar faturat e ngrohjes dhe rrymës, shkolla Liria do të bëhet tërësisht efikase në aspekt energjetik. Sipas Mexhitit, edhe pse ende kryhen punime, dhe shkolla është vetëm 2 javë larg fillimit, prapëseprapë nxënësit do ta kenë gati objektin. Sipas ministrit të Ekonomisë Valon Saraçini, investimet në efikasitetin energjetik do të jenë kursyese.
"Ky objekt shkollorë do të kursej diku rreth 50 mijë dollarë në vitë, mjete të cilat mund të alokohen edhe në investimet tjera. Mirëpo edhe nxënësit dhe arsimtarët në të ardhmen do të kenë edhe kushte me komfore dhe kushte më të mira për të realizuar mësimin", u shpreh Valon Saraçini, Ministër i Ekonomis.
Efikasiteti energjetik i Lirisë kushton 400 mijë dollarë, gjysma e të cilit është siguruar nga Ministria e Ekonomisë përmes grantit të Bankës Botërore, dhe gjysma tjetër nga vetë komuna. Efikasiteti energjetik i Lirisë është pjesë e fazës së dytë të projektit që mbulon 5 komuna. Në fazën e parë janë rikonstruuar 18 shkolla në gjashtë komuna. Goran Temenugov

Recommended