Mbledhje komemorative kushtuar Arbër Xhaferit

  • 9 years ago
Në pallatin e Kulturës në Tetovë u përkujtua jeta dhe vepra e ish kryetarit të PDSH-së Arbën Xhaferi i cili ndërroi jetë të mërkurën pas një gjakderdhje që kishte në tru. Në mbledhjen komemorative morën pjesë qytetarë të shumtë, përfaqësues të jetës politike nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Në emër të familjes Xhaferi, foli mbesa e të ndjerit Vjosa Xhaferi, duke shtuar se familja ka humbur udhërrëfyesin ndërsa kombi shqiptar pikën e referencës.
"Jemi në qytetin që ti linde axhë dhe u përpoqe, ku sfidove botën e zakonshme, të përditshme, të sunduar nga e keqja, mashtrimi dhuna e banaliteti. Askush më shumë se ne, njerëzit e tu të afërt njohim idealizmin tënd, ishe nga ata që më shumë dhanë se sa morën, ngjashëm me rilindësit, por në një kohë tjetër. Por ju mos qëndroni përballë varrit të tij të qani sepse ai nuk vdiq sot, mos guxoni të vajtoni se një shpirt i tillë ka qenë bekim për kombin tonë. Bashkë me familjen rreth teje sot janë miqtë, bashkëpunëtorë, politikanët", deklaroi Vjosa Xhaferi, mbesa e Arbën Xhaferit.
Ndërkohë në fjalën e tij, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi tha se vdekja e ish liderit të partisë që ai sot drejton është një humbje e madhe për familjen, partinë dhe kombin shqiptar.
"Atë që kam thënë për herë është e vërtetë, nuk ka qenë lojë, ky është teksti i parë që e kam shkruat vet dhe e lexoj vet, gjitha tekstet që i kam lexuar në publik i ka shkruajtë Arbën Xhaferi. Të flasësh për Arbër Xhaferin në këto momente të vështira për gjithë ne mbase është e tepërt, për të flet jeta e tij, puna e tij, përkushtimi dhe vizioni që ai kishte për shqiptarët kudo që jetojnë ata. Dashuria dhe respekti për Arbën Xhaferit lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendimet tona kryetar çdo herë do të jesh në zemrën time, të PDSH-së dhe gjithë shqiptarëve, qoftë për jetë kujtimi për ty", deklaroi
Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Arbën Xhaferi ka lindur më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Ka vazhduar studimet në degën e Filozofisë në Beograd ku ka mbaruar me sukses. Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punon në Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës dhe komentator i programit të kulturës. Nga mesi i viteve 1990 është ndër të parët që përjashtohet nga Televizioni nga regjimi i Milosheviqit. Pas kësaj periudhe punon si analist në të përjavshmen "Koha" në "Forum" që drejtohej nga Adem Demaçi dhe në disa media të tjera shqiptare përfshirë dhe shumë gazeta prestigjioze në botë. Arbër Xhaferi në vitin 1993 kthehet në vendlindje, si politikan. Në vitin 1994 zgjidhet kryetar partie. Xhaferi njihet si ndërtuesi i platformës për demokraci konsensuale, si një parakusht për parandalimin e tendencave margjinalizuese të aplikuara në atë kohë kundrejt shqiptarëve. Arben Xhaferi ishte deputet aktual i PDSH-së dhe kryetar i parë i kësaj partie. Për 12 vite me radhë, Xhaferi ka qenë në krye të PDSH-së deri në vitin 2007 kur në krye të partisë erdhi zëvendësi i tij, Menduh Thaçi. Shkëlzen Aqifi

Recommended