Vrasjet dhe torturat nga aksioni policor i 12 gushtit të vitit 2001 ende mbeten të freskëta në kujtimet e banorëve të fshatit Luboten. Dhimbja për viktimat e humbura nuk shuhet kurrë, ata kujtohen çdo ditë nga familjarët. Gjatë një vizite që ekipi i Televizionit Alsat bëri në këtë fshat, kuptuam se gjendja e familjarëve të viktimave nuk kishte ndryshuar aspak, përkundrazi, më e rëndë ekonomikisht dhe e pazgjidhur. Për më tepër, ishte e vështirë të realizoje këtë reportazh, pasi banorët janë të lodhur nga neglizhenca e autoriteteve, dhe e konsiderojnë të kotë që çdo vit të qajnë hallet, dhe apeli i tyre të bjerë në vesh të shurdhët.
"Sot mbushen plot 11 vite nga ngjarja tragjike në Luboten ku u vranë 10 civilë të pafajshëm. Familjarët e viktimave për dallim të viteve të kaluara këtë vit nuk deshën të prononcohen para kamerës sonë me arsyetimin se janë lodhur nga deklaratat e njëjta nga viti në vit dhe mos realizimi i premtimeve të qeveritarëve".
Megjithëse familjarët nuk preferuan të flisnin para kamerës, banorët e tjerë që takuam nëpër fshat, ndanin të njëjtin qëndrim, se pas 11 vitesh, asgjë nuk ka ndryshuar për ta.
"U bënë 11 vjet, ata shkuan, kush shkoj, kush mbet mbet, ndryshime diçka nuk ka, veç ajo dhimbja që ju ka mbet familjarëve për ata që kanë shkue në botën e amshueshme, tjetër nuk ka kurrgjë. Siç po e shihni katundin, ai katund si ka qenë. Ditë e premteka qenë, ora 10, e para granatë i ka ra shtëpisë tonë, dëmtim ajo ka qenë, familjarë nuk kemi të dëmtuar".
"Kjo nuk është në rregull, po edhe nuk mundemi me bë kurrgjë, kurrkush as nuk na vet a keni a nuk keni. Vendi i luftës, sakrificës, hakmarrjes ishte atëherë për Lubotenin, këtu UÇK nuk ka pas. Ata prej Lubancës, prej Rashtakit neve na ranë, ne kemi ik, një muaj e kemi lëshua shtëpinë".
"Sikur mu kanë sot. Pushka, mitralozi aty kanë qenë, rend është kanë plot, si sot më kujtohet".
"Nuk kishim kah me shkue, andej gjuj, këndej gjuj, prej lart gjujshin me granata me helikopterë, me fëmijë e me pleq e me plaka, krejt tu ik, kemi ra atje poshtë ndër Buzallakë. Mbetëm kurrkund, tërë ditën asnjë ndihmë prej kurrkujt, veçmë na kanë rreh, at ditë sa kanë mundur na kanë rreh, afër 170 persona edhe sot e at ditë ende kanë hala pasoja".
Nga aksioni policor i vitit 2001 në Luboten u vranë 10 civilë shqiptarë, 6 vjeçari Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili. Rasti i Lubotenit është i vetmi u procedua dhe gjykua nga Gjykata e Hagës, e cila dënoi për krime lufte ish pjesëtarin e lartë të forcave të Sigurisë Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë, ministri i Brendshëm i asaj kohe Lube Boshkovski, në mungesë provash u lirua nga akuza. Melihate Rustemi
Comments