Hartohet agjenda e 'çlirimit të Shkupit'

  • 9 years ago
Aktivitete të shumta kulturore do të përcjellin manifestimin me rastin e 100 vjetorit të çlirimit të Shkupit. Manifestimi do të nisë të dielën në ora 12 tek shtëpia memoriale e Nënës Terezë me meshën në gjuhën shqipe që mbahet për nder të Kolë Bojaxhiut, babait të Nënë Terezës, i cili kishte themeluar korrin "Zani i Maleve" për të pritur kryengritësit që çliruan Shkupin. Ndërsa në orën 13 e 30 tek Libraria e Çarshisë do të bëhet promovimi I pullës postare "Zani i Maleve" nga Postat e Maqedonisë. Në ora 18 në organizim të Shoqatës së Motoristëve Dardanians MC nga Shkupi do të mbahet defile e anëtarëve të familjeve kryengritëse të cilët do të ndalen te sheshi Skëndërbeu për të vijuar me një iftar të hapur te Xhamia e Murat Pashës në orën 19 e 45. Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti tha se me këtë rast do të nderohen të gjitha familjet e kryengritësve.
"Organizojmë këtë festë për nder të 100 vjetorit të çlirimit të Shkupit ku po ashtu do të nderojnë familjet, trashigmitarët e familjeve që kanë bë çlirimin e Shkupit, siç është familja e Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit dhe shumë familje të tjera dhe duke përfundu ku do të përfshihen diku 30 familje që janë të veçuara për kontributin e tyre kombëtar në këtë 100 vjetor dhe për të cilët ne u jemi mirënjohës dhe do t'ju ndajmë mirënjohje", tha Izet Mexhiti, kryetar I Komunës së Çairit.
Ndërkohë Skender Hasani nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë përkujtoi se Kryengritja e vitit 1912 kishte filluar në Malësitë e Gjakovës duke përfunduar me çlirimin e qyteteve të ndryshme të rrafshit të Kosovës dhe duke kulminuar me hyrjen në Shkup.
"Që do të thotë se sikur kryengritjet e mëparshme që gjatë Rilindjes kombëtare shqiptare që filluan diku tjetër dhe kulminuan me çlirimin e Shkupit siç ishte kryengritja e Dërvish Carës në vitin 1844 siç ishte ajo e Lidhjes shqiptare të Prizerenit me çlirimin e Shkupit me 4 dhjetor të vitit 1880 edhe kryengritja e vitit 1912 kulminoi me clirimin e Shkupit dhe ngjarja kulmore e vitit 1912 për trojet etnike shqiptare ishte çlirimi I Shkupit", tha Skender Hasani, SHHSHM.
Aktiviteti kulturor që do të përmbyll këtë manifestim është Koncerti në Kala që do të nis në ora 22. Organizator i manifestimit në fjalë është Komuna e Çairit në bashkëpunim me Shoqata e Historianëve Shqiptar të Maqedonisë, Instituti për trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, Unioni I studentëve 'Dardania', Shoqata e motoristëve 'Dardanians MC', Esnafi I Çarshis së dhe shumë sponsorë medial mes tyre edhe TV Alsat M. Melihate Rustemi

Recommended