Me mjete politike tentohet të arrihet përfaqësimi i shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike në konkursin e fundit për pranimin e 300 policëve. Si do të arrihet një gjë e tillë, ende nuk dihet, duke marrë parasysh faktin se nga 300 policë që duhet të pranohen në konkursin e fundit të MPB-së, sipas informacioneve tona as 10 % e kandidatëve shqiptarë që kanë kaluar fazën e parë nuk kanë arritur të kalojnë testimet e fazës së dytë. Në Ministrinë e Brendshme edhe sot refuzojnë të prononcohen publikisht mbi informacionet që kanë të bëjnë me përfaqësimin shumë të ulët të shqiptarëve të cilët kanë kaluar fazën e dytë të testimit. I kontaktuar nga ALSAT M, një zyrtar i lartë i policisë nga radhët e partisë së Ahmetit, njofton se prioritet kryesor i BDI-së në këtë konkurs mbetet që të ruajnë 25 për qind të shqiptarëve që do të pranohen në këtë konkurs. I njëjti burim njoftoi gjithashtu se në fund të javë së ardhshme pritet të dalin me informatat e para për kandidatët që janë pranuar. Në fazën e parë nga gjithsej 1055 kandidat e kishin kaluar 92 kandidatë shqiptarë, tani nga ky numër testimin e fazës së dytë e kanë kaluar më pak se 10 kandidatë shqiptarë. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që ka kaluar testimet e fazës së dytë arin numrin 750. Sipas kësaj as për së afërmi nuk do të realizohet obligimi ligjor dhe kushtetues i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike. Nëse nga 300 persona sa duhet të pranohen janë vetëm se 10 shqiptarë ose më pak se kaq atëherë rezulton se përqindja e shqiptarëve të punësuar në bazë të këtij konkursi të MPB-së nuk do të kalojë 3 përqindëshin. Shkelzen Aqifi
Comments