Maqedonia prej nesër në fazën e portokalltë

  • 9 years ago
Dita e nesërme do të jetë më e nxehta e vitit ndërsa faza e portokalltë pritet të përfshijë gjithë territorin e Maqedonisë. Kështu paralajmëruan nga Enti hidrometeorologjik duke shtuar se temperatura mbi 40 gradë do të mbretërojnë në thuajse gjithë vendin. Sipas sinoptikanes Maja Kojdovska-Markovska gjatë ditës së sotme temperaturat kanë lëvizur prej 35 deri në 42 gradë celsius, dhe indeks të lartë të rrezeve ultra violetë, mbi 9.
"Për ditën e nesërme, për gjithë territorin e vendit është paralajmëruar faza e portokalltë për shkak se përveç se do të jetë mot me diell dhe shumë i nxehtë, temperaturat do të jenë më të larta se sot dhe dita e nesërme do të jetë më e nxehta e vitit me temperatura prej 36 deri në 43 gradë celsius. Respektivisht, temperatura mbi 40 gradë do të kemi në shumë vende. Ndryshim të herëpashershëm të motit mund të presim të mërkurën, por në pjesën më të madhe të ditës, sërish do të jetë shumë nxehtë. Pasditeve do të kemi çrregullim të motit, të shoqëruar me reshje shiu dhe erë të fortë", deklaroi sinoptikja Maja Kojdovska-Markovksa.
Nga Enti Hidrometeorologjik bën të ditur se ndryshimi i motit do të vazhdojë deri të shtunën. Gjatë kësaj periudhe gradualisht do të paraqiten ulje të temperaturave të cilat të dielën pritet të zbresin për 10 gradë. Melihate Rustemi

Recommended