Qeveria vendosi të heqë masën reciproke ndaj Kosovës për doganimin e ujit të ambalazhuar dhe tubave të salduara që vijnë nga Kosova. Vendimi, i cili u mor në mbledhjen e djeshme të qeverisë, hyri në fuqi sot. Me këtë vendi, tregtia midis dy shteteve u normalizua sërish. Qeveria e Maqedonisë, 7 ditë më parë aplikoi doganën për ujin e ambalazhuar dhe për tubat e salduar, pasi para një muaji ishte Prishtina Zyrtare ajo që aplikoi 35 % doganë më të lartë për çimenton e Maqedonisë. " Ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë pasi të del në gazetën zyrtare. Shfuqizimi i vendimit për taksën doganore për ujin dhe gypat e salduar është në frymën e mirë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë, duke pasur parasysh se Kosova është partner i rëndësishëm ekonomik i Maqedonisë. Gjithashtu vlen të theksohet angazhimi i dy ministrave të Maqedonisë dhe Kosovës në këtë drejtim, duke pasur parasysh se ato në vazhdimësi bëjnë përpjekje për tejkalimin e gjitha barrierave tregtare doganore ", tha Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së RM-së. Ndërkaq, tensionet tregtare erdhën pasi Kosova mori vendim që çimenton që importon nga Maqedonia ta doganonte, duke e çuar çmimin e çimentos në Kosovë 80 euro për 1 ton, duke e bërë atë më konkurrent nga Maqedonia dhe Shqipëria, ku shitet për 60 euro 1 ton. Me masën e aplikuar, Kosova rrezikoi me 24 milion dollarë eksportin e çimentos së Maqedonisë, ndërkohë që me masën reciproke u shtrenjtua importi i ujit dhe tubave të salduara, që në vit peshojnë përkatësisht 1.7 dhe 2 milion dollarë. Eksporti i Maqedonisë në Kosovë është rreth 400 milion dollarë kurse importi vetëm 20 milion. Goran Temenugov
Comments